Gjyqi në Hagë/ Thaçi deklaron para Speciales: E kuptoj aktakuzën, jam plotësisht i pafajshëm

Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi dhe Rexhep Selimi, kanë dalë sot para trupit gjykues në Gjykatën Speciale në Hagë, ndërsa akuzohen për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit.

Kundër ish-krerëve të UÇK-së pritet të dëshmojnë mbi 300 dëshmitarë të prokurorisë dhe për t’i përfunduar këto duhet deri në dy vite kohë.

Gjatë ditës së sotme, Zyra e Prokurorit të Specializuar do të paraqesë deklaratën hyrëse dhe për këtë ka në dispozicion 5 orë.

Pas kësaj, është mbrojtësi i viktimave që do të bëjë deklaratën hyrëse, e cila pritet të zgjasë deri në 45 minuta.

Procesi do të vazhdojë me deklaratat hyrëse të ekipeve mbrojtëse.

Të gjitha këto pritet të përfundojnë të mërkurën, më 5 prill, ndërsa paraqitja e provave do të fillojë një javë me vonë me thirrjen e dëshmitarëve të prokurorisë.

“E kuptoj aktakuzën, jam plotësisht i pafajshëm”, mësohet të ketë deklaruar ish-Presidenti dhe ish-Kryeministri i Kosovës Hashim Thaçi në Hagë.