Gjermania kërkon zbardhjen e ngjarjeve në Banjskë dhe qetësimin e situatës

Sulmi në fshatin Banjskë në veri të Kosovës duhet zbardhur sa më parë dhe situata të çtensionohet urgjentisht ishte mesazhi i prerë i ambasadores së Gjermanisë në Serbi, Anke Konrad.

“Gjendja aktuale nuk është e qëndrueshme për njerëzit në veri të Kosovës, e as për njerëzit në Serbi dhe Kosovë në përgjithësi”, u shpreh diplomatja e larte për gazetën Blic.

Konrad theksoi se është e rëndësishme të krijohen kushte për rikthimin e dialogut mbi normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet dy vendeve sa më shpejt që të jetë e mundur, për zbatimin e Marrëveshjes së Brukselit nga viti 2013, duke përfshirë edhe krijimin e Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe, si dhe për implementimin e dy marrëveshjeve të arritura këtë vit në Bruksel dhe Ohër.

Konrad, po ashtu, theksoi domosdoshmërinë e mbajtjes së zgjedhjeve lokale në komunat e Kosovës me shumicë serbe dhe kthimin e përfaqësuesve politikë të serbëve në institucionet e Kosovës. Pas sulmit kundër Policisë së Kosovës në 24 shtator, ku u vranë një polic dhe tre sulmues, nga Bashkimi Evropian u dërguan sinjale se masat ndaj Serbisë janë të mundshme, nëse vërtetohet se ajo ka pasur lidhje me këtë episode.

Beogradi i ka hedhur poshtë akuzat e Prishtinës zyrtare se qëndron ai pas sulmit të cilësuar nga autoritetet kosovare si “tentativë për të aneksuar veriun e Kosovës”.