Gabriel Escobar vizitë në Beograd edhe Kosovë

I dërguari i posaçëm i Departamentit amerikan të Shtetit për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, do të qëndrojë sot për vizitë në Beograd, ku pritet të zhvillojë takime të ndara me presidentin serb, Aleksandar Vuçiç, dhe me kryeministren Ana Bërnabiç.

Vizita e zyrtarit të lartë amerikan në Beograd vjen dy ditë para rundit të ri të dialogut mes Kosovës dhe Serbisë, që do të mbahet më 18 mars në Ohër të Maqedonisë së Veriut, ku palët do të bisedojnë për zbatimin e propozimit evropian.

Pas Serbisë, Escobar pritet ta vizitojë edhe Kosovën. Ambasadori i Shteteve të Bashkuara në Kosovë, Jeffrey Hovenier, tha sot se plani i Bashkimit Evropian për normalizimin e marrëdhënieve Kosovë-Serbi “është marrëveshja më e mirë në dispozicion” që do të çojë në njohje të ndërsjellë midis dy vendeve.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, dhe presidenti serb ende nuk e kanë nënshkruar propozimin, por janë pajtuar se nuk ka nevojë që për këtë dokument të ketë negociata të mëtejme. Para Escobarit, në Prishtinë dhe Beograd ka qëndruar edhe emisari evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Mirosllav Lajçak.

Nga Beogradi ai tha se themelimi i Asociacionit të komunave me shumicë serbe në Kosovë është kushti kryesor për zbatimin e kësaj marrëveshjeje.

SHBA-ja dhe BE-ja vazhdimisht i kanë bërë thirrje Kosovës që ta krijojë Asociacionin, Si Uashingtoni, ashtu edhe Brukseli janë shprehur kundër krijimit të një asociacionin që do t’i ngjasonte Republikës Sërpska në Bosnjë e Hercegovinë, ashtu siç ka shprehur  Kurti.