Escobar dhe Lajçak për vizitë në Kosovë e Serbi

Të dërguarit amerikan dhe evropian për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar dhe Miroslav Lajçak vizitojne sot Beograd dhe të martën Prishtinën. Aata do te nxisin palët të ndërmarrin hapa për të shtensionuar situatën në veri të Kosovës, ku për më shumë se një javë po mbahen protesta para ndërtesave të komunave.

Diplomacia perëndimore po vazhdon thirrjet që Kosova dhe Serbia të angazhohen për të rikthyer qetësinë në komunat veriore të banuara me shumicë serbe. Të dielën numër i qytetarëve serbë qe protestonin para ndërtesave të komunave për të kundërshtuar hyrjen në zyra të kryetarëve shqiptarë në zyrat e tyre ishte i ulet.

SHBA dhe BE i kërkojnë Kosovës të largojë njësitë e posaçme të policisë nga ndërtesat komunale, zhvendosjen e përkohshme e kryetarëve të rinj në zyra të tjera alternative dhe organizimin sa më të shpejtë të zgjedhjeve të reja. Nga Serbia ndërkaq kërkohet tërheqja e forcave të armatosura serbe të stacionuara afër kufirit me Kosovën dhe ulja e gjendjes së gatishmërisë, ruajtja e qetësisë së protestuesve në veri dhe sigurimi i pjesëmarrjes së serbëve të Kosovës në zgjedhje të reja.

Në mëngjesin e së hënës, para objektit komunal të Zveçanit janë parë edhe kryetari dhe nënkryetari i Listës Serbe, Goran Rakiq dhe Igor Simiq. Ata kanë qenë prezentë edhe përgjatë javës së kaluar në protesta.

Të dy i kanë bërë thirrje të vazhdueshme pjesëtarëve të KFOR-it që të jenë garantuesit e vetëm të sigurisë në atë pjesë, dhe që të mos ketë pjesëtarë të Policisë së Kosovës. Ajo, po ashtu, u ka bërë thirrje edhe qytetarëve që të mos dalin në zgjedhje.