Draft-statuti për Asociacionin pranon njohjen e Kosovës

Me kërkesë të partive opozitare, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti raportoi para Kuvendit për draft-statutin e propozuar nga Perëndimi për themelimin e Asociacionit të Komunave me shumicë serbe në Kosovë.

Në Kuvendin e Kosovësu zhvillua debat i ashpër të premten deri vonë për ҫështjen e Asociacionit të Komunave me shumicë serbe me akuza dhe kundër akuza të partive opozitare dhe atyre në pushtet. Gjatë një raportimi në Kuvend, për herë të parë që nga takimi i fundit në Bruksel, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti tha se projekt statuti për Asociacionin e Komunave me shumicë serbe i paraqitur nga diplomatët evropianë dhe amerikanë, e ndërpret trashëgiminë mosnjohëse të Republikës së Kosovës që ishte çimentuar siç tha në marrëveshjet e mëhershme të vitit 2013 dhe 2015.

Kurti: Drafti i fundit perëndimor për Asociacionin “qartazi nuk është ‘Zajednicë’”

Dy javë më parë pesë të dërguarit perëndimorë u dorëzuan autoriteteve të Kosovës dhe Serbisë një dokument për zbatimin e marrëveshjes së Ohrit. Draft-statuti i Asociacionit nuk është bërë publik, me rekomandim perendimor, që palët po e respektojnë. Ajo që tashmë dihet është, se drafti përmban edhe propozimin e statutit të Asociacionit. Kryeministri Kurti tha se, sipas projekt statutit “çfarëdo ndryshimi i tij bëhet vetëm pasi të jetë pajtuar Ministria për Administrimin e Pushtetit Lokal të Republikës dhe vetëm pasi të ketë dhënë aktgjykim lejues Gjykata Kushtetuese e Republikës së Kosovës”.Akuza nga partitë e opozitës

Partitë politike opozitare ishin shumë të ashpra me kritika në adresë të kryeministrit Kurti, duke e akuzuar atë që siҫ thonë se ka përmbysur të gjitha parimet, me të cilat kishte fituar pushtetin. Kryetari i partisë më të madhe në opozitë, Partisë Demokratike të Kosovës PDK, Memli Krasniqi, kritikoi kryeministrin që nuk po tregon detaje për draft-statutin e Asociacionit dhe se sipas tij, Kurti, “ka pranuar që Serbia të vendosë për rregullimin e brendshëm të Kosovës”.

“Ta kanë sjellë një draft për Asociacionin e komunave me shumicë serbe, bashkësinë, ‘Zajednicën’, dhe e ke pranuar. A mund të na tregosh çka ke bërë ti aty në Bruksel nëse nuk e ke pranuar. Së pari, kur ke thënë, eja po e nënshkruajmë, ke bërë një gabim që një amator nuk është dashur ta bëj. T’i thuash botës jam i gatshëm të nënshkruaj me Vuçiqin draftin e Asociacionit për Kosovën, që rregullon Kosovën brenda, është jo banale, është anormale, është të pranosh që Serbia të vendosë për rregullimin e brendshëm të Kosovës”, tha Krasniqi.Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës në opozitë, Lumir Abdixhiku, akuzoi kryeministrin Kurti për mungesë transparence në raport me dialogun në Bruksel. “Ndonëse në emër të popullit të Kosovës kryeministri ka pranuar një dokument që për herë të parë definon statutin e Asociacionit, ne vazhdojmë të jemi në terr të plotë informativ. Një dokument kaq jetik, i dakorduar tashmë me Serbinë vazhdon të mos shpaloset paraprakisht para popullit të Kosovës”, tha kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku. Edhe Besnik Tahiri, nga Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës AAK tha se, “sikur ky kryeministër t’i besonte vullnetit të sovranit kurrë nuk do të pranonte që informacionet vitale për Republikën e Kosovës të trajtuara në dialog, të mbahen në konfidencë, larg syve të qytetarëve, larg kuvendit, pa përfshirjen e tyre dhe pa besimin e shumicës”.

Çështja e Asociacionit të Komunave me shumicë serbe ka përplasur në distancë që nga viti 2013, Kosovën dhe Serbinë, por edhe partitë politike në pushtet dhe opozitë në Kosovë dhe në Serbi. Në marrëveshjen e fundit ndërmjet Kosovës dhe Serbisë që u arrit në Ohër të Maqedonisë me 18 mars të këtij viti, Asociacioni i Komunave me shumicë serbe është pjesë e saj. Marrëveshja e Ohrit për të cilën bashkësia ndërkombëtare me ngulm kërkon të zbatohet, parasheh ndërtimin e marrëdhënieve të mira fqinjësore ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, njohje të dokumenteve dhe simboleve dhe respektim të sovranitetit dhe tërësisë territoriale të njëra tjetrës. Marrëveshja, po ashtu kërkon nga palët të mos ta pengojnë njëra tjetrën në proceset integruese. Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, nga ana e tij, tashmë disa herë ka deklaruar se ai “nuk do të pranojë asgjë që çon drejt njohjes de facto të Kosovës”, ndonëse kjo kërkesë tashmë hapur po bëhet nga autoritetet më të larta të BE-së dhe SHBA-së./DW