Çfarë po ndodh? Mali i Zi në zgjedhje të parakohshme

Presidenti i Malit të Zi, Millo Gjukanoviç, ka shpërndarë Parlamentin më 16 mars dhe sipas Kushtetutës, ai tani duhet që deri më 17 mars të njoftojë për datën e zgjedhjeve të parakohshme parlamentare.

Vendimi për shpërndarjen e Parlamentit vjen tre ditë para mbajtjes së zgjedhjeve presidenciale, në të cilat garon edhe Gjukanoviçi. Sipas njoftimit të Presidencës, dekreti për shpërndarjen e Parlamentit të Malit të Zi u nënshkrua në bazë të nenit 92, pika 3 e Kushtetutës së Malit të Zi.

Sot, 90 ditë pasi janë miratuar ndryshimet në Ligjin për president, në bazë të të cilave Miograd Llekiç u propozua për mandatar të Qeverisë, ky legjislacion u botua në Gazetën Zyrtare.

Llekiç dështoi të siguronte mbështetje e 41 nga 81 deputetët e Parlamentit dhe të formonte Qeverinë e re brenda afatit të caktuar prej 90 ditësh.

Gjukanoviç kishte thënë se ndryshimet në Ligjin për president ishin kundërthënëse dhe këshilltarët e tij ligjorë e dërguan atë në Gjykatën Kushtetuese për vlerësim të kushtetutshmërisë.

Ligji u ndryshua në dhjetor nga shumica parlamentare që përbëhet nga Fronti Demokratik pro-rus, Demokratët, Partia Popullore Socialiste dhe Lëvizja URA. Përmes ndryshimeve ligjore, shumica parlamentare mori autoritetin kushtetues të presidentit të shtetit, pasi Gjukanoviç, për arsye formale, refuzoi që të mandatonte Llekiçin për formimin e Qeverisë së re.

Partnerët ndërkombëtarë, veçmas Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian, vazhdimisht i kanë bërë thirrje shumicës parlamentare që të mos tentojë të krijojë Qeverinë e re bazuar në ligjin e ndryshuar, duke argumentuar se do të vihej në pikëpyetje legjitimiteti i ekzekutivit. Ata këtë mendim e bazuan edhe në opinionin negativ që dha Komisioni i Venencias sa i përket ndryshimeve në Ligjin për president.

Zgjedhjet e fundit parlamentare në Mal të Zi u mbajtën më 30 gusht të vitit 2020. Zgjedhjet e reja që do të shpallen do të jenë të gjashtat që Mali i Zi ka mbajtur që nga pavarësia më 2006.

Qeveria aktuale e Dritan Abazoviçit para shtatë muajsh u rrëzua nga një mocion mosbesimi. Ekzekutivi u rrëzua pasi Abazoviç nënshkroi Marrëveshjen Bazë me Kishën Ortodokse Serbe në gusht të vitit 2022.