Kryediplomati evropian, Josep Borell, ka konfirmuar se shefat negociatorë të Kosovës dhe Serbisë, kanë arritur pajtueshmëri më 4 prill për deklaratën për persona të pagjetur. Në këtë nivel negociatash, Kosova përfaqësohet nga zëvendëskryeministri, Besnik Bislimi, ndërsa Serbia nga drejtori i Zyrës për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, Petar Petkoviq.
Përmes një postimi në Twitter, Borell ka thënë se planifikohet që teksti i deklaratës për personat e pagjetur të miratohet në takimin e radhës të nivelit të lartë. Një ditë më parë, Bislimi ka thënë se takimi i nivelit të lartë mes kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, dhe presidentit serb, Aleksandar Vuçiç do të mund të zhvillohet më 22 prill.
“Kosova dhe Serbia janë zotuar për Marrëveshjen drejt normalizimit të marrëdhënieve dhe aneksin e zbatimit. BE-ja pret që të dyja vendet të zbatojnë obligimet dhe të nisin sa më shpejt zbatimin. Palët duhet të shmangin çdo përshkallëzim. Përmbushja e zotimeve përkthehet në përparim drejt rrugës së tyre evropiane”, ka thënë mes tjerash Borell.