Blinken: Kosova dhe Serbia t’i kthehen dialogut

Sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken, i bëri thirrje edhe Kosovës, edhe Serbisë që t’i kthehen dialogut të ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian, për normalizimin e marrëdhënieve.

Ai përsëriti se vendimi i Qeverisë së Kosovës për t’i instaluar me forcë kryetarët e rinj në komunat me shumicë serbe në veri, i përshkallëzoi tensionet “në mënyrë të mprehtë dhe të panevojshme”.

“Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti dhe Qeveria e tij duhet të sigurojnë që kryetarët e zgjedhur t’i kryejnë detyrat e tyre kalimtare nga lokacione alternative, jashtë ndërtesave komunale, dhe t’i tërheqin forcat policore prej atje. Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç dhe Qeveria e Serbisë duhet ta ulin statusin e sigurisë së Forcave të Armatosura Serbe dhe t’u bëjnë thirrje serbëve të Kosovës që të ndalojnë sfidimin e KFOR-it dhe të përmbahen nga dhuna e mëtejshme”, tha Blinken në një deklaratë të publikuar në ueb-faqen e Departamentit amerikan të Shtetit.

NATO-ja do të dërgojë 700 trupa shtesë në Kosovë dhe do të vendosë një batalion tjetër në gjendje gatishmërie të lartë. Kjo, pasi trazirat në vend u intensifikuan prej se kryetarët shqiptarë morën detyrën në komunat me shumicë serbe në zonën veriore.

Shtetet e Bashkuara dhe aleatët e qortuan Kosovën për përshkallëzimin e tensioneve me Serbinë, duke thënë se përdorimi i forcës për të instaluar kryetarët në komunat me shumicë serbe, minoi përpjekjet për normalizimin e marrëdhënieve mes dy vendeve.

SHBA-ja, mbështetësja më e madhe e pavarësisë së Kosovës, vendosi të anulojë pjesëmarrjen e Kosovës në një stërvitje ushtarake të NATO-s, pasi Prishtina refuzoi t’i tërheqë kryetarët e komunave dhe forcat e saj policore nga veriu i vendit. Komuniteti serb në veri është duke protestuar për të tretën ditë me radhë.