Bien në pranga tre kroatë në kufirin me Serbinë/ Policia sekuestroi material radioaktiv

 

Tre shtetas kroatë u arrestuan në pikën kufitare Bezdan, midis Kroacisë dhe Serbisë, pasi te ta u gjet një  lëndë eksploziv e quajtur kokë rrufepritëse.

Ministria e Brendshme e Serbisë konfirmoi për gazetën serbe, Blic, se ajo  u gjet gjatë kontrollit në kufi, në bagazhin e një veture “Audi”, në dalje nga Serbia. Tre shtetasit kroatë dyshohen për veprën penale të futjes së substancave të rrezikshme në Serbi.

Për këtë vepër, Kodi Penal i Serbisë parasheh dënim me burg nga gjashtë muaj deri në pesë vjet, si dhe gjobë.

Ministri kroat i Punëve të Jashtme dhe Evropiane, Gordan Gërlliq Radman, tha në një konferencë për media në Zagreb se është në pritje të më shumë informacioneve rreth këtij rasti.

“Sapo të kemi informacione të tjera, do t’ua komunikojmë mediave. Për momentin nuk dimë asgjë, duam të kemi një këndvështrim të konsoliduar për këtë”, tha Radman. Portali lokal serb, SOinfo, shkruan se prania e një “sasie serioze” të lëndëve radioaktive u detektua nga sensorët e vendosur në pikën kufitare.

Sipas të dhënave të vitit 2018 të Agjencisë serbe për Mbrojtjen nga Rrezatimi Jonizues dhe Sigurinë Bërthamore, në Serbi ka pasur më shumë se 700 rrufepritës radioaktivë që nuk janë hequr nga objektet.