BE shtyn funksionalizimin e sistemit ETIAS për Kosovën

Bashkimi Evropian e ka shtyrë funksionalizimin e sistemit ETIAS për në vitin 2024, ndonëse ai është paraparë të hyjë në fuqi më 1 nëntor të këtij viti.

Hyrja në fuqi e këtij sistemi është kthyer në temë të rëndësishme për qytetarët e Kosovës, sepse me të është lidhur liberalizimi i vizave. Megjithatë, në vendimin për vizat për Kosovën, është thënë se nëse sistemi ETIAS nuk hyn në fuqi deri në nëntor të këtij viti, liberalizimi i vizave për Kosovën do të hyjë në fuqi më 1 janar 2024.

Në faqen e ETIAS-it nuk janë dhënë arsye për shtyrjen e këtij vendimi. Pikërisht mundësia e bllokimit të procesit të vizave për Kosovën, i ka shtyrë disa vende të BE-së që të insistojnë për të pasur datë për këtë proces, edhe nëse do të ketë vonesa për ETIAS-in.

Kosova është vendi i vetëm i Ballkanit Perëndimor që nuk e gëzon lëvizjen e lirë me vendet e Zonës Schengen. ETIAS është sistem evropian për autorizim dhe informacione rreth udhëtimit. Ky sistem  krejtësisht elektronik  mundëson verifikimin e të dhënave të qytetarëve të vendeve të treta, që nuk nevojë për vizë, për të hyrë në Zonën Schengen.

Aty kërkohet emri, vendi i lindjes, gjinia, kombësia dhe secili që plotëson formularin duhet të ketë pasaportë, email dhe një kartelë krediti për të kryer pagesën simbolike për këtë dokument. Autorizimi për udhëtim lëshohet shpejt dhe në mënyrë automatike, përveç nëse ka dyshime për të kundërtën.