Kosova duhet t’i pezullojë operacionet e policisë së saj rreth ndërtesave të komunave në veri të vendit, si hap i parë për uljen e tensioneve, tha shefi i politikës së jashtme të BE-së, Josep Borrell.
“Dua të them se BE-ja e dënon fuqishëm dhunën në veri të Kosovës, që e kemi parë ditëve të fundit. Aktet e dhunës ndaj qytetarëve, mediave, forcave të rendit dhe KFOR-it janë të papranueshme. Ne, si BE, qëndrojmë prapa NATO-s dhe KFOR-it në përmbushjen e mandatit, në interes të paqes dhe stabilitetit në Kosovë”, tha Borrell për gazetarët në Bruksel.
Borrell tha se ka biseduar edhe me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, edhe me presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq, dhe se i ka ftuar ata që “ta qetësojnë situatën menjëherë dhe pa kushte”. Ai, po ashtu, tha se BE-ja pret që palët të angazhohen në dialog dhe ta hapin rrugën për zbatimin e Marrëveshjes drejt normnalizimit të marrëdhënieve.
https://twitter.com/i/status/1663487042469109760
Ndërkaq Sërgjan Millosavleviq, nga partia më e madhe e serbëve në Kosovë, Lista Serbe, u tha qytetarëve të mbledhur në Zveçan se kërkesat e komunitetit serb në këtë zonë, nuk kanë ndryshuar.
Ai kujtoi se kërkesat lidhen me tërheqjen e njësisë speciale të Policisë së Kosovës nga komunat në veri, si dhe me moshyrjen e kryetarëve shqiptarë në ndërtesat e komunave atje. “Ne u qëndrojmë këtyre kërkesave”, si kusht për ndaljen e protestave, tha Millosavleviq, ish-kryetar i Kuvendit Komunal të Zveçanit.