Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, tha të premten se këmbëngulja e Serbisë për themelimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe në Kosovë është e padrejtë dhe e dëmshme.
Ai i bëri këto komente gjatë shënimit të përvjetorit të gjashtëmbëdhjetë të protestës së lëvizjes Vetëvendosje të dhjetë shkurtit të vitit 2007, kur dy veta humbën jetën gjatë ndërhyrjes së policisë së Kombeve të Bashkuara për të shpërndarë protestuesit që kundërshtonin negociatat për statusin politik të Kosovës.
“Kosova ka nevojë për më shumë demokraci, e ndër aspektet e rëndësishme të demokracisë është pluralizmi politik. Te komuniteti serb në Kosovë njëmend nuk ka pluralizëm politik, por ai megjithatë po lind me qeverisjen tonë demokratike e progresiste.
Prandaj Serbia është në panik, duan që t’i bëjnë bashkë sa më parë dhjetë kryetarë të komunave të së njëjtës parti që e dirigjojnë ata, ta shpallin një president zajednice dhe me atë ta shkelin ministrin tonë të qeverisë tonë, ministrin nga radhët e komunitetit serb. E padrejtë dhe e gabueshme, e dëmshme dhe e papranueshme”, tha ai