Arrestohet edhe një i dyshuar për sulmin ndaj KFOR-it në Zveçan
Policia e Kosovës ka bërë të ditur se ka arrestuar një të dyshuar serb nga Mitrovica e Veriut për përfshirje në sulmin e 29 majit në Zveçan ndaj ushtarëve të KFOR-it. Në njoftimin e Policisë thuhet se i dyshuari, i njohur me nofkat “Nemac” dhe “Rusi”, është arrestuar dhe shoqëruar në stacion policor mbi dyshimet se “është përfshirë në sulm ndaj KFOR-it me datën 29 maj”.
Atë ditë, të lënduar kishin mbetur rreth 30 ushtarë të KFOR-it gjatë tentimeve për t’i shpërndarë protestuesit e grumbulluar pranë objektit komunal në Zveçan. Zyra për Kosovën në Qeverinë e Serbisë e ka identifikuar të arrestuarin si Nenad O. Sipas tyre, arrestimi i tij është dëshmi se kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, “nuk dëshiron dialog apo paqe, por të dëshiron të arrestojë të gjithë serbët dhe të provokojë konflikte jo vetëm në Kosovë, por edhe rajon”.
Në anën tjetër, ministri i Brendshëm i Kosovës, Xhelal Sveçla, tha se “secili që ka organizuar dhe ka qenë pjesë e atyre sulmeve do të sillet para drejtësisë”. Më 31 maj, Gjykata Themelore në Prishtinë kishte bërë të ditur se është vendosur masa e paraburgimit për një muaj për dy persona të arrestuar gjatë përleshjeve në Zveçan para dy ditëve.
https://twitter.com/i/status/1672175399613128706
Një ditë pas kësaj, tre pjesëtarë të Policisë së Kosovës u arrestuan nga forcat serbe në veri të vendit, një veprim që Qeveria e Kosovës e ka cilësuar si rrëmbim. Ndaj tyre, autoritetet serbe kanë shqiptuar masën e paraburgimit prej 30 ditësh. Për ta qetësuar situatën në veri, përfaqësuesi i Lartë i BE-së për Siguri dhe Politikë të Jashtme, Josep Borrell, ftoi në takim më 22 qershor kryeministrin e Kosovës, Albin Kurtin, dhe presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq. Ata u tha se janë pajtuar për mbajtjen e zgjedhjeve të reja. Në reagimin e Zyrës për Kosovën në Qeverinë e Serbisë thuhet tutje se ky veprim po saboton kërkesat e Përfaqësuesit të Lartë të Politikë të Jashtme dhe Siguri, Josep Borrell, në takimin e 22 qershorit.
BURIMI: RADIO ERUOPA E LIRË