33-vjeçarja u vra në sy të burrit dhe fëmijëve të mitur në makinë, policia zbardh detaje nga grabitja e armatosur në Prishtinë

Policia e Kosovës ka dhënë detaje në lidhje me grabitjen e armatosur ku mbeti e vrarë Liridona Murseli. Në raportin 24 orësh të policisë së Kosovës, bëhet e ditur se rasti ka ndodhur të mërkurën rreth orës 02:26, më rrugën “Dalip Alshiqi”, në Prishtinë.

Në raport bëhet e ditur se në makinë ishin edhe bashkëshorti dhe dy fëmijët e tyre. “Raportohet se viktima femër kosovare, derisa ka qenë me bashkëshortin dhe dy fëmijët e tyre me veturë, një person i panjohur i armatosur i ka ndaluar dhe ua ka kërkuar të gjitha gjërat me vlerë dhe është qëlluar me armë zjarri për vdekje. Lidhur me rastin është intervistuar bashkëshorti i saj, dëshmitari mashkull kosovar i cili kishte arritur të largohet nga vetura me dy fëmijët e tyre”, thuhet në raport.

Njësitë policore, prokurori dhe ndihma e shpejtë urgjente kanë dalë në vendin e ngjarjes, nga mjeku është konstatuar vdekja e viktimës. Po ashtu me urdhër të prokurorit trupi i pajetë i viktimës është dërguar në IML për obduksion.