150 trupa rumune i bashkohen KFOR-it për misionin në Kosovë

NATO-ja ka bërë të ditur se 130 trupa rumune kanë arritur në Kosovë, në kuadër të misionit të saj në Kosovë, KFOR.

Ditë më parë, KFOR-i në Kosovë është përforcuar edhe me 200 ushtarë britanikë.
Aleanca veri-atlantike ka thënë më 29 shtator se do ta rrisë prezencën e saj në Kosovë, përmes KFOR-it, pas rritjes së tensioneve në veri të Kosovës. Atëherë nuk e ka specifikuar numrin e saktë të trupave që do të dërgojë në Kosovë. Vendimi i NATO-s vjen pas përshkallëzimit të situatës në veri të Kosovës më 24 shtator.

Atë ditë, Polica e Kosovës është sulmuar në Banjskë të Zveçanit nga një grup i armatosur dhe për pasojë është vrarë rreshteri Afrim Bunjaku. Në shkëmbim e sipër të zjarrit në Banjskë janë vrarë edhe tre sulmues. Kosova e ka fajësuar Serbinë për këtë sulm, dhe ka prezantuar prova, që sipas saj e vërtetojnë këtë pretendim, mirëpo Serbia i ka hedhur poshtë ato.

Përgjegjësinë për sulmin e ka marrë ish-nënkryetari i Listës Serbe, Millan Radojçiçi, i cili ka hequr dorë nga të gjitha funksionet partiake. Policia ia ka konfiskuar pronat e tij në Kosovë dhe kërkon ekstradimin nga Serbia.

Në Serbi ai është marrë në pyetje ditë më parë dhe është liruar brenda 24 orëve. Misioni i NATO-s në Kosovë vepron në përputhje me Rezolutën 1244 të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara për të garantuar sigurinë në këtë vend. Deri më tani i ka pasur rreth 4.500 ushtarë në Kosovë të kombësive të ndryshme. /REL