Zgjedhjet lokale sjellin “rokadë” në Parlament, emrat që ikin dhe ata që vijnë

Zgjedhjet vendore të 14 majit do të sjellin ndryshime në Kuvendin e Shqipërisë, kjo pasi disa nga deputetët do kandidojnë për disa nga bashkitë në vend.

Mësohet se 5 deputetë do të dorëzojnë mandatin brenda kësaj jave, në mënyrë që të hënën të mund të regjistrohen si kandidatë në KQZ. Partia Socialiste do të kandidojë dy ligjvënës për të provuar fitore lokale në Shkodër dhe në Gramsh.

Kandidimi i Benet Becit në Shkodër pritet të rikthejë në kuvend Ilir Beqajn. Në qarkun Shkodër do të ketë ndryshime deputetësh edhe nga Partia Demokratike.

Sali Berisha ka konfirmuar kandidimin e Zef Hilës për Vaun e Dejës, duke i siguruar një mandat Ludovik Hasanit, teksa Bardh Spahia do ta refuzojë mundësinë për tu ribërë deputet pasi ka vetëm 1 vit në krye të bashkisë Shkodër.

Gjithashtu PD-ja zyrtare mund të kandidojë në Malësi të Madhe deputetin Ramadan Lika, gjë e cila ende nuk është konfirmuar, por nëse ndodh, kjo do të rikthente në Parlament Izmira Ulqinakun.

Në Elbasan, PS do të ketë deputet të ri Shkëlqim Bullarin, i cili zë vendin e Besjan Ajazit që do të garojë për Gramshin.

Vendi i Luciano Bocit që për llogari të Foltores garon në Elbasan, do ta zërë Qani Xhafa.

 

LËVIZJA E DEPUTETËVE

PARTIA SOCIALISTE

Benet Beci            Ilir Beqaj

Besjan Ajazi          Shkëlqim Bullari

FOLTORJA

Luçiano Boçi         Qani Xhafa

Belind Këlliçi        Asllan Dogjani

Zef Hila                Ludovik Hasani

PARTIA DEMOKRATIKE

Ramadan Lika       Izmira Ulqinaku.