VIDEO/ Kreu i PS, Edi Rama: Gratë e vajzat armata jonë në qarqet e vendit! Arsyeja që jemi të pathyeshëm
Kryetari i Partisë Socialiste, Edi Rama ishte pjesë e eventit “Vajzat dhe Gratë Socialiste për Shqipërinë 2030”, duke i paraprirë çeljes së fushatës për zgjedhjet e 11 majit, Rama i konsideroi gratë dhe vajzat socialiste “komandot” e armatës fitimtare të PS-së.
“Sot ne jemi mbledhur njëkohësisht në të 12 qarqet e vendit ku po zhvillohen 12 garat e përballjes elektorale për Kuvendin e ardhshëm të Shqipërisë për të nisur zyrtarisht fushatën e zgjedhjeve të 11 majit. Duke qenë se ishte e vetmja mënyrë për të lidhur bashkë të gjitha “forcat komando” të Forumit të Gruas, ne menduam se më e udhës ishte të mblidheshin drejtueset dhe koordinatoret e çdo qarku për të përcjellë një mesazh të drejtpërdrejtë: Shqipëria është grua, Europa është grua.
“Nuk ka asnjë gjë që mua më bën më shumë krenar për PS-në se sa fakti që kjo forcë politike mbështetet fuqimisht nga gratë dhe vajzat e Shqipërisë. E thënë ndryshe, PS-në e mbështesin në rang kombëtar 56% e zgjedhësve gra dhe vajza, ndërsa në qarqe të caktuara kjo mbështetje shkon deri në 65%”,
“Nëse te gratë dhe vajzat avantazhi ynë ndaj kënetës është goxha i madh te burrat është ndjeshëm më i ngushtë. Këtë mbështetje kuptimplotë, prekëse dhe inkurajuese të pjesës më të ndjeshme, më të arsyeshme, më sakrifikuese të popullit shqiptar që janë gratë dhe vajzat unë nuk do ta ndërroja kurrë me mbështetjen e pjesës tjetër, mbështetjen e burrave dhe djemve, që padiskutim e çmoj shumë, siç çmoj çdo shqiptar dhe shqiptare që na mbështet.
“Ndaj edhe sot në ditën e rënies së gongut të fushatës zgjedhore nuk mund ta nisnim këtë etapë të fundit të finishit të 11 majit përveçse kështu dhe këtu, me gratë dhe vajzat që duke njohur nga brenda organizimin organizatave socialiste janë ‘komandot’ e armatës sonë fitimtare në të gjitha qarqet e vendit që koordinojnë veprimtaritë e të gjitha njësive të skuadrave brenda dhe jashtë Shqipërisë”, tha ndër të tjera Rama.