“Vetëm Luli ta jep pasaportën europiane, pa u futur në BE” – Rama ironizon Bashën nga Fieri
Kryeministri Edi Rama, gjatë një takimi me strukturat e Partisë Socialiste në Fier, ka ironizuar liderin e “Koalicionit Euroatlantik”, Lulzim Basha, duke e akuzuar për premtime boshe në prag të zgjedhjeve të 11 majit.
Rama u ndal te deklaratat e Bashës për lëvizjen pa viza me SHBA-në dhe ofrimin e “pasaportës europiane” pa hyrë në BE.
“Nga ana tjetër, vota e 11 majit është vota për pasaportën. Disa thonë se nuk po anëtarësohemi në BE, por na premtojnë pasaportën. Pasaportën europiane e merr kur hyn në BE. Vetëm Luli ua sjell ndryshe! Luli, që fle aq shumë sa nuk i lëviz asnjë fije floku, ia ka vënë emrin ‘Koalicioni Euroatlantik’ dhe premton heqjen e vizave me SHBA-në. Vetëm Luli mund t’i bëjë këto,” – u shpreh Rama.
Më tej, kryeministri theksoi angazhimin e qeverisë për anëtarësimin e Shqipërisë në Bashkimin Europian deri në vitin 2027 dhe kërkoi mbështetje për një tjetër mandat qeverisës, duke e paraqitur Partinë Socialiste si alternativën më të besueshme për këtë qëllim.