“Unë jam martuar disa herë, tani ta martojmë Shqipërinë” – Rama përdor metaforën e martesës për integrimin në BE

Kryeministri Edi Rama, gjatë një takimi me të rinjtë në Tiranë, ka përdorur një krahasim simbolik mes martesës dhe procesit të integrimit të Shqipërisë në Bashkimin Evropian. Me një gjuhë të mbushur me humor dhe batuta, ai e cilësoi BE-në si “familjen më të fortë” ku vendi duhet të bëhet pjesë dhe theksoi se tashmë ka ardhur koha për të përmbyllur “fejesën e gjatë” të Shqipërisë me unionin.

Duke iu drejtuar të rinjve, Rama u shpreh se Shqipëria ka bërë “krushqi” të ndryshme gjatë historisë, por tani është momenti për të finalizuar këtë lidhje me BE-në. Ai e krahasoi këtë proces me eksperiencën e tij personale, duke thënë se e di mirë që “martesa e duhur është shpëtim” dhe se edhe atij iu desh kohë për të bërë zgjedhjen e duhur.

“Kjo është krushqia më e bukur që na ka rënë. Kemi bërë krushqi me lloj-lloj çudirash, nga lindja nga lindja. Tani ka ardhur koha të mbyllim këtë fejesën e gjatë. Mbetëm të fejuar, jo unë se unë jam martuar disa herë. Dhe e di shumë mirë, martesa e duhur është shpëtim, mua më mori ca kohë, por shpëtova. Tani duhet të shpëtojmë Shqipërinë, të bëjmë martesën e duhur. Nusen më të bukur ta fusim në familjen më të fortë,” tha Rama.

Në fjalën e tij, kryeministri ironizoi kundërshtarët politikë, duke përmendur një skenar imagjinar ku një demokrat refuzon të martojë “nusen” dhe thotë se duhet të pyesë “bufin”. Sipas Ramës, kjo qasje e opozitës është një pengesë e pakuptimtë dhe se Shqipëria nuk mund të mbetet në vendnumëro.

“Imagjinoni një demokrat që thotë: ‘Nuk e japim nusen ne se do pyesim bufin’. Si nuk e jep ti, do ta mbash në derë, të të plaket në dorë? Ky është 11 maji,” shtoi ai, duke lënë të kuptohet se vota për Partinë Socialiste në zgjedhjet e 11 majit është një hap drejt përmbylljes së këtij procesi.

Retorika e përdorur nga Rama duket se synon të mobilizojë të rinjtë dhe të bindë qytetarët për rëndësinë e integrimit në BE. Ai e paraqiti këtë proces jo thjesht si një çështje politike apo diplomatike, por si një vendim që do të ndikojë drejtpërdrejt në të ardhmen e Shqipërisë. Duke e krahasuar me martesën, Rama sugjeroi se një bashkim me Bashkimin Evropian do të jetë një zgjedhje e mençur dhe shpëtuese për vendin, ashtu si një martesë e duhur është për një individ.