“SPAK ka kryer punë me Myslimin“/ Ish-deputeti Murrizi paraqitet në Prokurorinë e Posaçme

Ish-deputeti demokrat, Myslim Murrizi, është paraqitur ditën e sotme në Prokurorinë e Posaçme Anti-Korrupsion (SPAK), ku nuk ka zbuluar arsyen e vizitës së tij, duke dhënë përgjigje evazive ndaj gazetarëve. Ai ka theksuar se arsyet do të bëhen të ditura më vonë, por ka refuzuar të sqarojë nëse ishte thirrur për të dhënë dëshminë si kallëzues ose në kuadër të një hetimi.

Në një prononcim të shkurtër për mediat, Murrizi tha: “SPAK ka kryer punë me Myslimin, bashkë me prokuroritë e Shqipërisë. Më kanë hetuar 10 muaj rresht nga një grup fëlliqësirash të policisë së shtetit, por kjo nuk ka lidhje me këtë çështje.”

Për pyetjen se nga cili prokuror ishte pritur, Murrizi tha se nuk i njihte ata të SPAK dhe se oficeri i kishte shoqëruar te një prokuror që ai nuk e njihte, duke shtuar se nuk kishte marrë kartën e ID-së dhe as që kishte mundësi ta njihte identitetin e prokurorit.