Rama për Kavajën: Kandidatin më të votuar e hëngri bufi! PD nuk ekziston më, është kthyer në…

Kryeministri Edi Rama ka komentuar zgjedhjet e 11 majit në Kavajë, duke ironizuar Partinë Demokratike dhe procesin e saj të primareve. Ai deklaroi se Kavaja është rilindur vetëm kur i është besuar Partisë Socialiste dhe se demokratët duhet ta marrin si ofendim situatën aktuale të PD-së.

“Mos të të rrejë mendja se me bufin e kënetës ka një shans Kavaja. Fatmirësisht, ne treguam se çfarë dimë të bëjmë. E rilindëm Kavajën kur na u dha mundësia. Kishte vetëm pluhur, njerëz që shisnin fara dhe të gjithë të tjerët shihnin nga qielli, pa ujë, pa drita, pa punë. Sot, Kavaja është bërë qytet sepse u bë kur na u dha besimi.”

Duke iu referuar primareve të PD-së, Rama tha se kandidati më i votuar në Tiranë u la jashtë garës, duke e quajtur këtë një vendim të padrejtë.

“Mileti demokrat i Kavajës duhet ta marrë si një ofendim. U çuan demokratët, votuan për pseudo-primaret, nxorën kandidatin më të votuar dhe në fund, tak… e hëngri bufi! Ua hëngri bufi kandidatin. Doni ta keni bufin në Kavajë? Mbajeni!”

Rama theksoi se zgjedhjet e 11 majit nuk janë vetëm për partitë, por për të ardhmen e qytetarëve dhe integrimin e Shqipërisë në BE.

“Nuk ka thasë mielli, por pasaportë! Voto PS për veten tënde, sepse s’ka rrugë tjetër. Nuk ka më PD, por kënetë. Nuk ka demokraci atje, ka vetëm një buf kënete!” – deklaroi kryeministri.