Rama për integrimin dhe ndryshimet në shëndetësi: Treni i historisë ka ndaluar para nesh, duhet ta kapim

Kryeministri Edi Rama, gjatë rubrikës “Sy më sy”, foli për integrimin e Shqipërisë në Bashkimin Europian, duke e cilësuar këtë moment si një mundësi historike që nuk duhet humbur.

“Treni i historisë ka ndaluar para nesh dhe duhet ta kapim. Kush thotë se s’është momenti, e humb trenin,” tha ai, duke theksuar se për këtë proces duhen kapërcyer ndasitë politike dhe përplasjet mes partive.

Rama u ndal edhe te shëndetësia, duke thënë se ndryshimet janë të dukshme dhe i mohon vetëm ai që nuk dëshiron t’i shohë. Sipas tij, janë ndërtuar ose rikonstruktuar 53 spitale në gjithë vendin, përfshirë Spitalin e Korçës, i cili po ndërtohet nga e para pas më shumë se 90 vitesh.

“Sot janë 600 mijë qytetarë që marrin shërbime shëndetësore falas, edhe pse nuk kanë paguar ndër vite kontributet. 210 mijë pensionistë përfitojnë barna të rimbursueshme, ndërsa fondi i rimbursimit të ilaçeve është dyfishuar,” tha kryeministri.

Në lidhje me pagat e mjekëve dhe infermierëve, ai deklaroi se ato janë rritur ndjeshëm. “Në vitin 2013, paga e një mjeku ishte 490 euro, ndërsa sot është 1670 euro. Infermierët marrin një pagë mesatare prej 850 eurosh.”

Rama përmendi gjithashtu edhe përmirësimet në urgjencën mjekësore, duke theksuar se 320 autoambulanca të reja janë vënë në dispozicion dhe koha e përgjigjes për urgjencat është reduktuar në 15 minuta nga marrja e njoftimit.