Rama me fermerët në Fier: Duhet të bëjmë kapërcimin për të hyrë në BE, na presin 300 milionë euro në vit për bujqësinë

Kryeministri Edi Rama, gjatë një takimi me fermerët në Fier, tha se Shqipëria duhet të përmbyllë negociatat për anëtarësim në Bashkimin Europian deri në vitin 2027. Ai theksoi se hyrja në BE do t’i sjellë vendit një financim prej 300 milionë eurosh në vit për bujqësinë, një mundësi që ai e cilësoi “të paimagjinueshme”.

“Duhet të bëjmë patjetër kapërcimin për të hyrë në Bashkimin Europian sepse direkt na vijnë 300 milionë euro në vit për bujqësinë. Ne duhet të mbarojmë negociatat deri në fund të 2027 me se s’bën. Kemi disa çështje që po i negociojmë për të marrë më shumë kohë”, tha Rama.

Ai foli për sfidat e sektorit bujqësor, duke përmendur rëndësinë e kontrollit të prodhimeve dhe standardeve ushqimore, veçanërisht në lidhje me qumështin dhe therjet e bagëtive.

“Një nga çështjet kryesore është si kalon prodhimi në tavolinë, si trajtohet qumështi dhe therjet. Kjo është pika kyçe. Nuk është vetëm për BE-në, por për shëndetin dhe sigurinë e konsumatorëve”, u shpreh kryeministri.

Rama vuri në dukje progresin e bërë në bujqësi gjatë viteve të fundit, por shtoi se ende mbetet shumë për t’u bërë. “E gjetëm sektorin në riciklim mbijetese, hap pas hapi po kalojmë tek zhvillimi. Nuk jemi aq të pasur sa të bëjmë të dyja, ndaj duhet të bëjmë një zgjedhje”, tha ai.