Rama kërkon respekt për opozitën: Pas 11 majit, tolerancë zero për zyrtarët e PS që nuk e respektojnë palën kundërshtare

Kryeministri Edi Rama ka deklaruar se pas 11 majit do të ketë tolerancë zero për zyrtarët e Partisë Socialiste që nuk trajtojnë me respekt të gjithë komunitetin, përfshirë edhe opozitën.

Në një takim me socialistët në Vlorë, Rama tregoi një episod të veçantë që kishte përjetuar së fundmi, kur një nga kandidatet për deputete e kishte ftuar në një tavolinë me 100 të rinj të Forumit Rinor të Partisë Demokratike (FRPD). Kryeministri tha se ky ishte një nga momentet më të veçanta të karrierës së tij dhe se kishte ndjerë një lloj ndjesie faji ndaj këtyre të rinjve.

“Dje Zamira më bëri një surprizë, besoj një nga momentet më të veçanta të karrierës sime. Më ka ulur në tryezë me 100 djem e vajza të FRPD-së dhe ky takim më ka lënë një ndjesi faji që s’më është ndarë akoma. Ata janë të rinj të angazhuar me një forcë tjetër politike dhe më kanë vënë në pozitë të vështirë kur më thanë se si sillen përfaqësuesit e PS me ta. Këto janë minimumi i kodit etik dhe dua që pas 11 majit të vendosim tolerancë zero për çdo zyrtar që nuk respekton dhe nuk i trajton në mënyrë të drejtë e të barabartë të gjithë qytetarët”, tha Rama.

Kryeministri theksoi se sjellja e përfaqësuesve të PS ndaj opozitës duhet të jetë korrekte dhe pa diferencime, duke e konsideruar këtë si një parim themelor të etikës politike.