Rama ironizon Bashën nga Lushnja: Jam i gëzuar se jam vënë në kontakt me Lulin, s’ka fushatë pa të

Kryeministri Edi Rama ka vijuar ironitë ndaj ish-kreut të Partisë Demokratike, Lulzim Basha, gjatë një takimi në Lushnjë. Rama u shpreh se Basha jep premtime boshe, pasi nuk ka asgjë në dorë për të ndryshuar.

“Jam i gëzuar sot se jam vënë në kontakt me Lulin, është shumë pozitive kjo se nuk shtyhet fushata pa Lulin”, tha ai, duke thumbuar Bashën për premtimet e tij.

Kreu i qeverisë përmendi edhe një histori me ish-kryeministrin Fatos Nano, për të ilustruar sipas tij mungesën e ndikimit të Bashës në vendimmarrje.

“Isha në një vaki me Fatos Nanon dhe dikush i tha që pronat duhet të shkojnë tek i zoti. Fatosi iu përgjigj: ‘Kjo ide është shumë e guximshme, por nuk është për mua, duhet ta diskutosh me Sabriun’. E kishte për të ndjerin Sabri Godo, që nuk kishte gjë në dorë, por binte dakord me gjithçka”, tha Rama.

Duke vijuar ironinë, ai shtoi: “Luli nuk e di sa i kanë shkuar pagat e pensionet që ka rritur. Mund t’i heqë Luli vizat amerikane? S’ka gjë në dorë! Kjo është si puna e dikujt që hedh lotarinë, të dalë ku të dalë”.

Rama e mbylli duke thumbuar ata që kërkojnë ndryshim politik, duke thënë se “për të qenë i ri nuk mjafton certifikata në gjendjen civile”.