Rama fton Dash Sulën në PS: Më parë të dezinfektohet, të heqë morrat e kënetës, është tmerr…

Kryeministri Edi Rama i ka bërë një ftesë publike ish-deputetit demokrat Dashnor Sula për t’iu bashkuar Partisë Socialiste, por me kushtin që më parë të “dezinfektohet” nga ajo që ai e cilësoi si “morrat e kënetës”.

Duke folur nga një takim me kandidatët e PS-së në qarkun e Elbasanit, Rama përmendi Sulën, i cili nuk u përfshi në listat e PD-së për zgjedhjet e 11 majit. “PS është një shtëpi e hapur, jo ku duhet të japësh provim a e di apo se di programin. Kemi edhe të kuq fare, kemi edhe rozë, kemi edhe pak më bojëqielli, duhet të jemi të hapur edhe për blunë”, u shpreh Rama.

Megjithatë, ai nënvizoi se Sula, për t’iu bashkuar socialistëve, duhet më parë të “pastrohet” nga ndikimet e së shkuarës politike. “Mund të jetë edhe Dash Sula, por duhet të dezinfektohet siç janë ato pulat që futen në karantinë. Ai duhet të heqë morrat e kënetës, aty të myt morri, është tmerr,” shtoi kryeministri.

Pasi mbeti jashtë listave të Partisë Demokratike, Sula negocioi me koalicionin “Nisma Shqipëria Bëhet” për të kandiduar në Elbasan. Megjithatë, ai nuk mori garanci nga drejtuesit e koalicionit se pesë kandidatët e listës së mbyllur do të tërhiqeshin nëse ai fitonte mandatin e deputetit.