Qeveria miraton ngritjen e strukturës së Akademisë së Pushtetit Vendor

Qeveria ka miratuar ngritjen e një strukture të re të përbashkët me bashkitë, që do të shërbejë si qendër trajnimi për administratën vendore.

Akademia e Pushtetit Vendor do të angazhohet në zhvillimin profesional të të gjithë punonjësve të bashkive, nga drejtuesit më të lartë deri te stafi bazë.

Institucioni do të drejtohet nga një komitet i përbërë nga përfaqësues të bashkive dhe të qeverisë, nën koordinimin e Ministrit të Pushtetit Vendor. Bashkitë do të kontribuojnë financiarisht për funksionimin e Akademisë, ndërsa qeveria do të mbulojë gjysmën e shpenzimeve për tre vitet e para.

Qëllimi është rritja e kapaciteteve dhe performancës së administratës vendore, me synim përmirësimin e shërbimeve për qytetarët.

VENDIMI I KESHILLIT TE MINISTRAVE:

V E N D I M

PËR

AUTORIZIMIN E MINISTRIT PËRGJEGJËS PËR ÇËSHTJET VENDORE PËR NEGOCIIMIN DHE NËNSHKRIMIN E MARRËVESHJES ME NJËSITË E VETËQEVERISJES VENDORE PËR KRIJIMIN E PERSONIT JURIDIK SI SUBJEKT I KOMPETENCAVE TË PËRBASHKËTA ME VETËQEVERISJEN VENDORE PËR RRITJEN E KAPACITETEVE TË QEVERISJES VENDORE TË REPUBLIKËS SË SHQIPËRISË

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të pikës 5, të nenit 14, të ligjit nr.139/2015, “Për vetëqeverisjen vendore”, të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Shtetit për Pushtetin Vendor, Këshilli i Ministrave

V E N D O S I:

1. Autorizimin e ministrit përgjegjës për çështjet vendore për negociimin dhe nënshkrimin e marrëveshjes me njësitë e vetëqeverisjes vendore, sipas pikës 5, të nenit 14, të ligjit nr.139/2015, “Për vetëqeverisjen vendore”, të ndryshuar, për krijimin e subjektit të kompetencave të përbashkëta, në formën e organizatës jofitimprurëse, për zhvillimin e kualifikimin profesional të qëndrueshëm të të zgjedhurve, nëpunësve civilë dhe punonjësve të tjerë në njësitë e vetëqeverisjes vendore, me qëllim rritjen e performancës profesionale për t’u shërbyer komuniteteve dhe për t’i ndihmuar ato në përmbushjen e funksioneve të veta dhe kompetencave, sipas legjislacionit në fuqi, si dhe për përmbushjen e sfidave, që lidhen me procesin e integrimit në Bashkimin Evropian.

2. Ndihmesa financiare konsiston në mbulimin e kostos fillestare të themelimit të subjektit të kompetencave të përbashkëta dhe të jo më pak se 50% të kostove operacionale të funksionimit të saj për tri vitet e para të funksionimit për përmbushjen e objektivave.

3. Ministri përgjegjës për çështjet vendore merr pjesë në komitetin drejtues të subjektit të kompetencave të përbashkëta.

4. Ndihmesa financiare, sipas pikës 2 të këtij vendimi, të parashikohet në buxhetin e Agjencisë për Mbështetjen e Vetëqeverisjes Vendore.

5. Ministri përgjegjës për çështjet vendore sigurohet që, për programet e ofruara, të merret pëlqimi paraprak nga Shkolla Shqiptare e Administratës Publike për miratimin e programit vjetor të trajnimit, pa penguar zhvillimin e realizimin e tij, me përjashtim të rastit kur për module përkatëse vërtetohet se është kryer planifikimi për vitin akademik përkatës nga ana e Shkollës Shqiptare të Administratës Publike.

6. Ngarkohen ministri përgjegjës për çështjet vendore, Ministria e Financave dhe Agjencia për Mbështetjen e Vetëqeverisjes Vendore për zbatimin e këtij vendimi.

Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.