“PS ka çarmatosur veten dhe i ka dhënë drejtësisë fuqinë”, Rama: Pala tjetër do të presë kokën Dumanit…
Kryeministri Edi Rama u shpreh se qytetarët duhet të votojnë Partinë Socialiste në zgjedhjet e 11 majit për të siguruar barazinë para ligjit dhe vazhdimin e reformës në drejtësi.
Në një deklaratë, Rama tha se PS ka hequr dorë nga kontrolli mbi drejtësinë, duke i dhënë fuqinë institucioneve përkatëse. Ai theksoi se për dekada me radhë, qeveritë shqiptare e kanë mbajtur pushtetin gjyqësor të “çarmatosur”, ndërsa PS ka zgjedhur t’i japë drejtësisë “shpatën e veprimit”.
“E kemi ndarë këtë punë dhe ia kemi dhënë drejtësisë të gjithë fuqinë për të luftuar korrupsionin, pavarësisht problematikave që mund të ketë. Ne e dorëzuam shpatën dhe morëm përsipër kostot. Pala tjetër thotë se sa të marrin pushtetin, do ta rimarrin shpatën dhe do t’i presin kokën Altin Dumanit. Nëse Shqipëria nuk është në BE, atëherë kjo barazi para ligjit nuk do të jetë e garantuar,” deklaroi Rama.
Sipas tij, zgjedhjet e 11 majit janë kyçe për të ardhmen e reformës në drejtësi dhe për të siguruar që politika të mos ndërhyjë në punën e institucioneve të drejtësisë.