Përplasje e fortë mes Ilir Metës dhe Endrit Braimllarit për aferën e lobimit në SHBA: Kush është “tradhtari”

Një përplasje e fortë ka nisur mes kreut të Partisë së Lirisë, Ilir Meta, dhe ish-nënkryetarit të kësaj partie, Endrit Braimllarit, i cili kaloi më pas te Partia Socialiste. Meta akuzon Brahimllarin për aferën e lobimit në SHBA, duke thënë se ai “ka firmosur kontratën e lobingut” dhe se kushëriri i Brahimllarit, Eriol Brahimllari, “ka mbajtur për 10 vite gjithë korrespondencën me kompanitë e lobimeve, edhe me e-mail, por pas largimit nga detyra nuk ka lënë asnjë arkiv apo gjurmë.”

Meta shton se Brahimllari “është marrë në pyetje nga SPAK-u, pasi ka patur për detyrë të ndjekë zbatimin e lobimeve, duke qenë përgjegjës edhe për organizimin dhe financat.” Ai thekson gjithashtu se “Endriti pasi hyri tek SPAK-u si përfaqësues i Partisë së Lirisë, doli si ‘rilindas’ i Edi Ramës dhe u fut edhe në listën e PS për kandidat për deputet në Tiranë.”

Nga ana tjetër, Endrit Brahimllari ka reaguar duke thënë se “kjo është një çështje e ezauruar për mua që në vitin 2023” dhe se “emri i Endrit Brahimllari nuk mund të mbulojë dot hallet që kanë me drejtësinë.”

Tensionet mes tyre nisën në prill 2024, kur Meta paralajmëroi “spastrime” në Partinë e Lirisë, duke thënë se është koha për rithemelim dhe përfundim të dualizmit të drejtimit. Pak ditë më pas, Brahimllari dha dorëheqjen nga posti i nënkryetarit, duke deklaruar:

“Të nderuar anëtarë të Komitetit Drejtues Kombëtar, i gjendur në kushtet e pamundësisë për të kryer funksionin e nënkryetarit të partisë, për shkak të faktorëve të brendshëm kam vendosur të jap dorëheqjen nga ky funksion… Do të vazhdoj me përkushtimin maksimal angazhimin tim si i zgjedhur vendor në këshillin bashkiak të Tiranës për të qenë zëri i qytetarëve dhe për të mbrojtur të drejtat e tyre.”

Në tetor 2024, agjentët e Byrosë Kombëtare të Hetimit kontrolluan edhe banesën e Brahimllarit, në kuadër të hetimeve për lobimin në SHBA dhe aferën “CEZ-DIA.”

Në janar 2025, Brahimllari ndryshoi kampin politik dhe iu bashkua Partisë Socialiste. Ai tha në atë kohë se kishte mbyllur kapitullin me Partinë e Lirisë dhe se “nuk kam asnjë inat të mbartur me ish-kolegët e mi.”

Por Partia e Lirisë e akuzoi atë se është “marrë peng nga SPAK” dhe se ndryshimi i tij i kampit është i detyruar nga drejtësia.

Kjo përplasje mes dy ish-bashkëpunëtorëve vazhdon të ndikojë në politikën shqiptare.