Pas Vlorës kritika edhe në Fier? Rama zbarkon nesër në zyrat e Armando Subashit

Pas Vlorës, Kryeministri Edi Rama, do të zhvillojë nesër një vizitë zyrtare në Bashkinë e Fierit, më të madhen në jug të vendit. Pas ndalesave në qytetet bregdetare, si Vlorë dhe Durrës, ku ka mbajtur takime intensive me strukturat vendore të PS-së, Rama ka paralajmëruar se do të jetë në zyrat e bashkisë që drejtohet prej një dekade nga Armando Subashi.

Subashi, ish-deputet i PS dhe kryebashkiak i Fierit që prej vitit 2015, ndodhet aktualisht në mandatin e tij të tretë. Megjithatë, raportet mes tij dhe bazës socialiste lokale nuk janë pa tension. Strukturat e PS-së në Fier kanë shfaqur herë pas here pakënaqësi, duke e akuzuar Subashin për neglizhencë, mosmbajtje të premtimeve dhe shpërdorim të detyrës.

Gjatë vitit 2024, ai është marrë në pyetje për orë të tëra nga Prokuroria e Posaçme (SPAK), çka ka shtuar presionin ndaj tij në arenën politike dhe institucionale.

Në këtë kontekst, vizita e Edi Ramës në Fier shihet me interes të madh. Kujtojmë se gjatë ndalesës në Vlorë, Rama nuk kurseu kritikat e drejtpërdrejta ndaj kryebashkiakut Ermal Dredha dhe “shkriu” të gjithë drejtuesit lokalë të strukturave të PS-së për “mospërmbushje të detyrave funksionale”. Nuk përjashtohen “surpriza” edhe në Fier, ndërkohë që mbetet për t’u parë nëse Kryeministri do të japë mbështetje të plotë, apo do të ndjekë të njëjtën qasje kritike edhe ndaj Subashit.

Fieri, një nga bastionet historike të Partisë Socialiste, ka qenë gjithmonë një pikë kyçe në fushatat elektorale lokale dhe parlamentare. Vizita e nesërme mund të shënojë një rikalibrim të pozicioneve brenda partisë, veçanërisht në një periudhë ku përgatitjet për zgjedhjet e ardhshme kanë nisur.