Në Shqipëri e “shkarkuan dhe po e hetonin”, Yuri Kim merr post të ri në Departamentin e Shtetit

Ish-ambasadorja e SHBA-së në Shqipëri, Yuri Kim, është emëruar në postin e Këshilltares së Lartë për Efiçencë dhe Përgjegjësi në Departamentin Amerikan të Shtetit (DASH).

Lajmi u konfirmua nga vetë DASH, një ditë pas spekulimeve në Shqipëri se Kim ishte shkarkuar nga detyra dhe madje nën hetim. Fshirja e përkohshme e profilit të saj nga uebfaqja e Departamentit të Shtetit duket se kishte të bënte me përditësimin e të dhënave të saj për pozicionin e ri.

Në njoftimin zyrtar, DASH thekson se Kim ka një përvojë të gjatë diplomatike dhe ka mbajtur role kyçe në politikën e jashtme dhe sigurinë kombëtare në Europë, Azi dhe Lindjen e Mesme. Ajo ka shërbyer si ambasadore e SHBA në Shqipëri nga viti 2020 deri në vitin 2023 dhe më pas si Zëvendës Ndihmës Sekretare Kryesore e Byrosë së Çështjeve Evropiane dhe Euroaziatike.

Si Këshilltare e Lartë për Efiçencë dhe Përgjegjësi, ajo do të mbajë një post të ri të krijuar së fundmi, i cili synon të rrisë efektivitetin dhe përgjegjshmërinë në politikën e jashtme amerikane.