Kreu i PD, Berisha me personat me aftësi të veçanta: Pensione 140 mijë lekë për kryefamiljarin
Në një bashkëbisedim me persona me aftësi të veçanta, kreu i PD, Sali Berisha ka premtuar më shumë mbështetje financiare.
Berisha tha se për çdo qytetar me aftësi ndryshe, që është kryefamiljar, familjarët e tij do trajtohen me minimumin jetik, ndërsa shtoi se brenda 100 ditëve të para, program i PD për ta, do të sjellë një ndryshim rrënjësor në qëndrimin e shoqërisë ndaj tyre.
“Unë u garantoj ju të dashur miq se pothuaj një e treta e rrogave që jepen në administratën shtetërore janë në emigracion dhe nuk janë fare në Shqipëri, por janë emra të regjistruar dhe qeveritarët, zyrtarët ndajnë ato paratë njëri me tjetrin. Kurse ju iu lënë me pensione absolutisht si aktakuzë e rëndë e kësaj vjedhje që bëhet.
140 mijë lekë pensioni, në një kohë kur shumë nga ju jeni kryefamiljarë, keni njerëz për të mbajtur, keni detyrime përveç vetes tuaj, do të thotë t’u dënosh ju me mjerim. Dhe ky, është dënimi me mjerim.
Sepse në qoftë se i jep ti tjetrit 150 mijë lekë të vjetra për të kaluar muajin me të gjithë problemet që ka, ilaçet, etj, ai nuk e përballon dot kurrë jetën. Ne e kemi shpallur, në Shqipëri nuk do ketë pension nën 200 euro. Por u garantoj se pensionet për ju, pra ky minimum jetik do tejkalohet sipas shkallës së aftësisë ndryshe, pa asnjë lloj hezitimi.
U siguroj se për secilin qytetar me aftësi ndryshe, që është kryefamiljar, që mban familjen, familjarët e tij do trajtohen me minimumin jetik. Nuk do mund të bëjë kush korrupsioni mbi ju.
Shikoni çfarë djallëzie kanë bërë këta, që nuk e ka kërkush. Ligji që parashikon përmbushjen e nevojave tuaja, ai ligj nuk thotë për qytetarët me aftësi ndryshe, por thotë edhe për qytetarët me aftësi ndryshe, domethënë që të lëshohet edhe lukunia tjetër. Por, ne qëllimin duhet ta kemi në radhë të parë për këtë grup të shoqërisë, sepse aty është prova e njerëzisë, prova e humanizmit, prova e bamirësisë. Nuk është bamirësi, është detyrim madhor” tha ndër të tjera Berisha.