KAS rrëzon opozitën për pavlefshmëri, i hapet rruga certifikimit zyrtar të rezultatit të zgjedhjeve
Pas përfundimit të procesit të rinumërimit dhe vlerësimit të materialeve zgjedhore në katër qarqe kryesore, Elbasan, Tiranë, Fier dhe Durrës Komisioni i Ankimimeve dhe Sanksioneve (KAS) ka rrëzuar kërkesën e koalicionit opozitar për shpalljen të pavlefshme të rezultatit zgjedhor në këto zona.
Në vendimin e marrë sot, KAS vlerësoi se pretendimet e opozitës nuk ishin të mbështetura në prova të mjaftueshme për të çuar në anulimin apo përsëritjen e votimeve të 11 majit 2025. Procesi i rinumërimit dhe verifikimit nuk nxori parregullsi që mund të ndikonin ndjeshëm në rezultatin përfundimtar. Me këtë vendim, i hapet rruga certifikimit zyrtar të rezultatit të zgjedhjeve, që pritet të kryhet në ditët në vijim nga Kryekomisioneri Shtetëror i Zgjedhjeve.
Kërkesa e opozitës erdhi pas akuzave për parregullsi dhe manipulime gjatë procesit zgjedhor në disa zona kyçe, por vendimi i sotëm i KAS mbyll zyrtarisht çështjen në aspektin institucional, duke konfirmuar vlefshmërinë e rezultatit në këto katër qarqe. Tashmë pritet që Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) të finalizojë procedurat përfundimtare dhe të shpallë rezultatin përfundimtar të zgjedhjeve.