Ish-prokurori Ndoja: Nëse fitoj mandatin, shpreh problemet për sigurinë dhe Reformën në Drejtësi
Kandidati për deputet me PD në qarkun e Durrësit, ish-prokurori Arjan Ndoja premton se do jetë një zë ndryshe në parlament nëse arrinë të sigurojë mandatin.
I ftuar në Syri Tv, Ndoja tha se shtytja për të marrë pjesë në zgjedhjet e 11 Majit si kandidat për deputet, edhe pse përvoja e tij në politikë nuk është e gjatë, është gjendja në të cilën ndodhet vendi sot.
“Unë mendoj se edhe si qytetar i këtij vendi, shoh që ka shumë probleme të tjera që janë të pazgjidhura për shkak të keqqeverisjes së këtij vendi për një periudhë të gjatë 12 vjeçare.
Shtytja për t’u aktivizuar në politikë, është gjendja në të cilën ndodhet vendi jonë sot. Unë jam jurist, kam mbaruar shkollën e Magjistraturës, kam filluar të ushtroj funksionin e prokurorit prej shumë vitesh. I jam nënshtruar procesit të rivlerësimit të magjistratëve për të cilët ju tashmë jeni në dijeni për Reformën në Drejtësi që u bë në Shqipëri. Vetingu i famshëm.
Unë do të jap disa mocione, se pse nuk funksionon sistemi. Për mua, nuk është një reformë që ka të bëjë me emra, ka të bëjë me një reformë që ndryshon të gjithë sistemin. Rëndësinë e të kuptuarit, pavarësinë e gjyqësorit, mënyrën e intimidimit apo ndërhyrjes në pavarësinë e sistemit gjyqësor, e cila shpjegohet ligjërisht në mënyrën e funksionit të institucionit.
Duke qenë se i përkas kësaj klase, juristësh, të cilët e kanë provuar drejtëpërsëdrejti në dëm të tyre nga ana profesionale, arsimore-akademike, por edhe në dëm të interesave familjare, në aspektin psikologjik por edhe ekonomik. Mendoj që pjesëmarrja ime në politikë, do të ishte një angazhim që zëri im të mos ishte i vetmuar, por të shprehte të gjitha interesat e kësaj klase përfaqësuese.
Unë bëj pjesë tek ata njerëz që jap mendimin tim profesional dhe mendimi im profesional vlerësohet nga persona të tjerë. Përveç pjesëmarrjes time për një zë ndryshe në Parlament nëse do ishte mundësia të fitoj mandatin, dhe të shpreh problemet për rendin dhe sigurinë në vend, si dhe Reformën në Drejtësi. Unë mendoj se edhe si qytetar i këtij vendi, shoh që ka shumë probleme të tjera që janë të pazgjidhura për shkak të keqqeverisjes së këtij vendi për një periudhë të gjatë 12 vjeçare. Unë nuk hyj tek njerëzit që shohin çdo gjë që ndodh me syrin negativ.” tha mes të tjerash ai.