Grenell shpërndan reagimin e Ramës për Specialen: Gjykatë turpëruese!

Emisari Special i Shteteve të Bashkuara të Amerikës për Misione të Posaçme, Richard Grenell, ka shpërndarë deklaratën e Kryeministrit Edi Rama kundër vendimit të Gjykatës Speciale për të mos lejuar ish-presidentin e Kosovës Hashim Thaçi për t’i dhënë lamtumirën e fundit babait të tij.

Grenell ka shpërndarë në rrjetin social X postimin e Ramës i cili shprehu kritika për refuzimin e kërkesës së Thaçit duke theksuar se Gjykata Speciale “e ka kthyer drejtësinë ndërkombëtare në një farsë”.

“Një ulje e re nga një gjykatë turpëruese dhe e paturpshme, e cila e ka kthyer drejtësinë ndërkombëtare në një farsë, të drejtat demokratike në fjalë boshe, dhe vullnetin e Parlamentit të Kosovës në një boomerang të dhunshëm”, theksoi një ditë më parë kryeministri Rama, deklaratë me të cilën është dakordësuar edhe Grenell duke e publikuar edhe në profilin e tij të rrjetit social “X”

Haxhi Thaçi, babai i ish-presidentit të Kosovës Hashim Thaçi u nda nga jeta një ditë më parë (16 mars). Thaçi ishte i shtruar në Qendrën Klinike Universitare pasi ishte në gjendje të rëndë shëndetësore.

Më 13 mars ai u vizitua nga Hashim Thaçi, i cili mori leje nga Haga, ku ndodhet i arrestuar. Pas vizitës prej rreth tre orësh, ai u rikthye sërish në Hagë.

Që nga nëntori i vitit 2020, ish-Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi gjendet në paraburgim në Hagë, pasi ndaj tij rëndojnë akuzat për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit. / ATSH