Bashkia e Selenicës ndjek “trendin”! Japin dorëheqjen 5 administratorët
Pesë administratorë të njësive administrative në Bashkinë e Selenicës kanë paraqitur dorëheqjen nga funksionet e tyre.
Dorëheqjet e tyre vijnë në një moment kur Kryeministri Edi Rama, në një takim me kryetarët e bashkive në të gjithë vendin, të zhvilluar pak ditë më parë në Durrës, kërkoi largimin edhe të të gjithë drejtuesve të njësive administrative, pas valës së dorëheqjeve të kërkuara për drejtorët e institucioneve në varësi të pushtetit vendor.
Edhe në Bashkinë e Selenicës janë konfirmuar tashmë dorëheqjet e pesë drejtuesve të njësive administrative. Megjithatë, puna e tyre do të analizohet dhe, pas një procesi të detajuar vlerësimi, do të vendoset nëse këto dorëheqje do të jenë përfundimtare.
Zbatimi i këtij urdhri pritet të ndodhë edhe në Bashkinë e Vlorës, ku deri më tani janë konfirmuar dorëheqjet e të gjithë drejtuesve të institucioneve në varësi të pushtetit vendor. Vala e dorëheqjeve ka përfshirë thuajse të gjitha bashkitë në rang vendi, duke u cilësuar si një proces ristrukturimi të pushtetit vendor dhe një përpjekje për emërimin e drejtuesve të rinj në krye të institucioneve apo njësive administrative, në funksion të ofrimit të një shërbimi më efikas ndaj qytetarëve – siç ka kërkuar vetë Kryeministri Rama.