Tragjedia në Koçan/ Ministri i Brendshëm: Diskoteka funksiononte si “stallë”! Priten arrestime të tjera
Ministri i Brendshëm i Maqedonisë së Veriut, Pançe Toshkovski, ka paralajmëruar arrestime të tjera në lidhje me tragjedinë në Koçan, ku humbën jetën 59 persona pas zjarrit që përfshiu diskotekën “Pulse”. Sipas tij, hetimet kanë zbuluar se lokali kishte funksionuar për 15 vite në mënyrë të jashtëligjshme, pa licenca dhe pa kushte minimale sigurie.
Në një deklaratë për mediat, Toshkovski e cilësoi diskotekën si një “stallë” që operonte përmes korrupsionit dhe ryshfetit.
“Ky objekt diskotekë, nëse më pyetni mua, është stallë! Ka funksionuar për 15 vite me kriminalitet dhe korrupsion, pa asnjë kusht të përmbushur sipas ligjit. Hetimi ka konstatuar se klubi nuk kishte certifikatë për përdorimin e piroteknikës, e cila duhej të merrej në polici. Për shkak të korrupsionit dhe krimit, ne po humbasim jetën e fëmijëve tanë,” tha ministri.
Deri më tani janë arrestuar 13 persona, ndërsa numri i të dyshuarve ka shkuar në 23. Nga këta, 11 ndodhen në paraburgim me masë të shkurtër prej 48 orësh, ndërsa për të tjerët priten veprime të mëtejshme nga Prokuroria.
Sipas ministrit, pajisjet piroteknike u sollën nga grupi muzikor DNK, një prej anëtarëve të të cilit është mes viktimave. Ai theksoi se lokali nuk kishte asnjë leje për organizimin e eventeve, nuk kishte dyer emergjente dhe as pajisje adekuate për shuarjen e zjarrit.
“Çfarëdo që të prekim, është kalbur! Maqedonia nuk ka sistem, korrupsioni dhe krimi e kanë shkatërruar. Duhet të ndërmarrim hapa radikalë për ta normalizuar këtë shtet, nëse duam ta kemi ende,” përfundoi Toshkovski.
Autoritetet kanë premtuar një hetim të plotë për të zbardhur përgjegjësitë dhe për të vënë para drejtësisë të gjithë ata që lejuan funksionimin e një ambienti të rrezikshëm për jetën e qytetarëve.