Pamje rrëqethëse! Ekskavatorët hapin varret për 59 viktimat në Koçan, zgjerohen parcelat e varrezave
Varrezat e qytetit të Koçanit po zgjerohen për të bërë vend për 59 viktimat që humbën jetën në zjarrin tragjik të diskotekës “Pulse”. Ekskavatorët kanë nisur gërmimet për hapjen e varreve, ndërsa viktimat do të prehen në një parcelë të veçantë të varrezave të qytetit.
Një video e publikuar nga Reuters tregon makineritë duke përgatitur terrenin, teksa familjarët dhe qytetarët janë ende në shok nga ngjarja që tronditi Maqedoninë e Veriut.
Komuna e Koçanit ka njoftuar se në mbledhjen e sotme të kolegjiumit është rekomanduar që Bordi Drejtues i Ndërmarrjes Publike Komunale “Ujësjellësi” të marrë vendim për zgjerimin e varrezave dhe caktimin e një vendi të veçantë për viktimat. Gjithashtu, është propozuar që parcelat dhe shërbimet funerale të ofrohen pa pagesë për familjet e viktimave.
Ndërkohë, hetimet për tragjedinë vazhdojnë. Deri tani, 22 persona janë shpallur të dyshuar, ndërsa Prokuroria ka kërkuar arrest afatshkurtër për 14 prej tyre.