“Nuk vdesim nga fatkeqësitë, por nga korrupsioni” – Protesta me tensione në Koçan, qytetarët hedhin vezë ndaj godinës së Komunës

Qindra qytetarë në Koçan të Maqedonisë së Veriut dolën sot në rrugë për të shprehur zemërimin e tyre pas tragjedisë në lokalin e natës, ku humbën jetën 59 persona dhe u plagosën 155 të tjerë.

Protesta, e cila nisi si një marshim paqësor, u tensionua kur qytetarët filluan të hidhnin vezë ndaj godinës së Komunës, duke akuzuar institucionet për korrupsion dhe neglizhencë. Protestuesit mbanin pankarta me mesazhe të forta, si: “Nuk vdesim nga fatkeqësitë, por nga korrupsioni”.

Ata kërkojnë zbardhjen e ngjarjes dhe ndëshkimin e përgjegjësve, duke fajësuar autoritetet për mungesë kontrolli dhe dështime të rënda në sigurinë publike.

Tragjedia e 16 marsit ka tronditur mbarë vendin, ndërsa hetimet vijojnë dhe disa persona, përfshirë pronarin e lokalit dhe ish-zyrtarë të qeverisë, janë arrestuar.