E mitura i shpëton tragjedisë në diskotekën e Koçanit: Nuk e morëm seriozisht zjarrin, dolëm kur bërtiti…

Një vajzë e mitur, e cila i shpëtoi tragjedisë në diskotekën “Pulse” në Koçanë të Maqedonisë së Veriut, ka rrëfyer detaje tronditëse nga nata e zjarrit vdekjeprurës më 16 mars.

Sipas saj, në koncertet e mëdha në këtë lokal gjithmonë kishte mjete piroteknike, ndaj askush nuk e mori seriozisht zjarrin fillestar. “Të gjithë po filmonin, menduan se ishte shaka. Nuk menduan se do të përhapej kaq shpejt,” tha ajo për Klan.mk.

Sipas dëshmisë së saj, situata ndryshoi vetëm kur një nga këngëtarët bërtiti: “Kur këngëtari bërtiti, dola menjëherë jashtë. Para derës kishte shumë tollovi, njerëzit vraponin, nuk e di si dola. Disa mbetën deri në fund, menduan se nuk do të ndodhte asgjë.”

Ajo pretendon se policia, e cila ishte e pranishme në vendngjarje, nuk ndihmoi sa duhet dhe se në këtë diskotekë shpesh lejohej hyrja e të miturve kundrejt pagesës së biletës.

“Çdo fundjavë kam shkuar atje. Atë natë kishte shumë njerëz, 50% më shumë nga sa lejohej. Shumë prej tyre hynë pa biletë, edhe pse thonë se u shitën 500 bileta.”

Kujtojmë se tragjedia në diskotekën “Pulse” shkaktoi vdekjen e 59 personave, mes tyre 6 të mitur, dhe la mbi 200 të plagosur.