1 milion euro donacione për familjet e viktimave dhe të plagosurve nga tragjedia në Koçan
Pas tragjedisë në diskotekën “Pulse” në Koçan të Maqedonisë së Veriut, ku humbën jetën 59 persona, solidariteti publik ka sjellë një mbështetje të madhe financiare për familjet e viktimave dhe të plagosurve. Kryqi i Kuq njoftoi se deri më tani janë mbledhur rreth 1.66 milion euro donacione, të cilat do të përdoren për mbështetjen e familjeve të prekura dhe trajtimin e të lënduarve që po kurohen jashtë vendit.
Në spitale brenda Maqedonisë së Veriut vijojnë të trajtohen 22 persona, ndërsa 91 pacientë janë transportuar për mjekim jashtë vendit, përfshirë Hungarinë, Italinë, Greqinë, Serbinë dhe Suedinë. Autoritetet e Shkupit po mbulojnë të gjitha shpenzimet mjekësore, përfshirë ato të familjarëve që qëndrojnë pranë pacientëve në spitalet jashtë vendit.
Një rast që ka prekur opinionin publik është ai i një prindi, i cili deklaroi se kishte nxjerrë makinën në shitje për të paguar trajtimin e djalit të tij të plagosur. Ministri i Shëndetësisë, Arben Taravari, garantoi se askush nuk do të lihet pa ndihmë dhe se të gjitha shpenzimet e trajtimit do të mbulohen nga shteti.
Ndërkohë, hetimet për ngjarjen e rëndë vazhdojnë. Deri më tani, policia ka ndaluar disa persona si të dyshuar për përgjegjësi në këtë tragjedi. Sipas informacioneve paraprake, diskoteka nuk kishte masat e nevojshme të sigurisë, duke përfshirë mungesën e hidrantëve dhe përdorimin e paligjshëm të materialeve piroteknike. Gjithashtu, rezultoi se lokali nuk kishte një leje pune dhe nuk ishte lidhur një kontratë zyrtare mes organizatorit dhe grupit muzikor që performonte atë natë fatale.
Autoritetet e Maqedonisë së Veriut kanë premtuar një hetim të thellë dhe mbajtjen e përgjegjësve për tragjedinë para drejtësisë.