Ja për sa kohë nuk duhet ta hash ushqimin që ka rënë në dysheme
Të gjithë e kanë dëgjuar rregullin e famshëm të “5 sekondave”: nëse të bie ushqimi në tokë dhe e merr menjëherë, nuk ndotet. Por a është kjo e vërtetë? Një mikrobiolog nga Çikago, Nicholas Aicher, vendosi ta testojë këtë ide në mënyrë shkencore, siç shihet në një video të publikuar në TikTok që ka marrë mbi 1 milion shikime.
“Nuk doja gjë tjetër veçse t’u tregoja njerëzve për gjithë ato ndotje të vogla që nuk i mendojmë çdo ditë”, tha Aicher, i cili punon si analist i lartë i cilësisë.
Ai ka mbi 450,000 ndjekës në TikTok, ku bën eksperimente për të treguar sa të ndotura janë gjërat që përdorim çdo ditë – nga pompët e karburantit, te furçat e dhëmbëve apo gojët e qenve. Eksperti e bëri eksperimentin jo me ushqim, por me disa enë transparente. Ai i vendosi në tokë për periudha të ndryshme kohore, nga zero, pesë sekonda deri në një minutë, dhe më pas i analizoi për baktere. Rezultatet treguan se çdo mostër kishte rritje bakteriale, madje edhe ajo që qëndroi në tokë për zero sekonda.
“Duket se edhe 0 sekonda janë shumë”, tha ai, duke treguar një pjatë të mbushur me pika bakteriale.
Në fakt, mostra e 5 sekondave kishte pothuajse njësoj shumë baktere sa ajo e 1 minutës, duke treguar se “rregulli” nuk funksionon. Mostrat e tjera kishin edhe më shumë ndotje, sidomos ato që qëndruan për 20–30 sekonda. Aicher përfundoi: “Qoftë 5 sekonda apo 60, ushqimi gjithsesi do të jetë i ndotur”.
Shikuesit në TikTok reaguan menjëherë, të habitur: “S’do ha më asgjë që më bie në tokë”. “Të lutem jo, unë jetoj me rregullin e 5 sekondave!”. “Mikrobet i japin ushqimit më shumë shije”, tha dikush me shaka.