Pasi të mësojnë këtë lajm, si edhe sëmundjen nga e cila rrezikohen, me siguri që femrat nuk do të jenë edhe aq xheloze. Një studim i kryer nga Universiteti i Goteborgut në fushën e Neorologjisë ka treguar se femrat që vuajnë nga xhelozia, ankthet apo shqetësimet e ndryshme hormonale kanë shanse të dyfishta për t’u prekur nga sëmundja e Alzheimerit.
Sipas këtij studimi, në vitin 2050 parashikohet që në mbarë botën të jenë 44 milionë njerëz me depresion. Në testet e personalitetit të 800 grave në fund të 30ve, 40ve dhe në fillim të 50ve, disa pyetje kishin të bënin me të qenit neurotik, një karakteristikë e përcaktuar me gjendje ankthi, xhelozi, nervozizëm, si dhe gjendje faji. Femrat e përfshira në studim janë pyetur nëse ato ishin nën stres në punë, në shtëpi apo në stres për arsye shëndetësore.
Të njëjtat pyetje janë përsëritur në interval kohore prej pesë vitesh. Kur studimi përfundoi, pas 38vjetësh, 153 gra kanë rezultuar në gjendje neurotike mjaft të zhvilluar. Gratë që kishin arritur një rezultat të lartë në testet që matnin nivelin e neurozës ishin veçanërisht të prirura për sëmundje, por vetëm në qoftë se ato kishin qenë të nënshtruara ndaj stresit në një kohë relativisht të gjatë. Njerëzit neurotikë që ishin shumë të trembur dhe nën presion të vazhdueshëm kishin rreziqe më të larta.
Autori i studimit, Lena Johannsson, thotë se: “Rreziku i një njeriu depresiv shfaqet nëpërmjet efektit të tij në sjellje, mënyra e jetesës apo reagimet që ka ndaj stresit.” Nga ana tjetër, studimi thekson se numri i njerëzve me depresion do të rritet në mënyrë dramatike. E, për këtë arsye, e rëndësishme është të identifikohen faktorët e rrezikut dhe faktorët mbrojtës.
“Ju duhet të kuptoni se çfarë duhet të ndryshojë”, pohon Clare Walton, përfaqësuese e Shoqërisë së Alzheimerit.
“Nga ana tjetër, ne nuk mund të kontrollojmë burimet e përditshme të stresit, por mund të zhvillojmë strategjinë që ndihmon të merremi me ta për të shqyrtuar se si mund të ndihmojmë në zvogëlimin e rrezikut për një të sëmurë depresiv”, ka treguar Simon Ridley, pjesë e këtyre studimeve. Kuptimi i faktorëve që ndikojnë në rrezikun e sëmundjes Alzheimer mund të ofrojë strategji të reja për të parandaluar sëmundjen.