Urrejtje kombëtar: Në Durrës shfaqen grafite serbisht kundër Kosovës

Ditët e fundit, në Durrës janë shtuar grafitet me përmbajtje të gjuhës së urrejtjes. Ato janë shfaqur kryesisht, në mbikalimin e Urës së dajlanit, që është dhe hyrja kryesore e qytetit bregdetar dhe zonës së plazhit.

Nuk është hera e parë që mesazhe të cilat nxisin urrejtjen dhe përçarjen kombëtare dhe krahinore shfaqen në muret e mbikalimit.

“Ky fenomen ka vite që ndodh, këtu e 5 vjet çdo fillim sezoni dhe nuk është rastësi që të jenë të njëjtat grafite, shkrime dhe ofendime. Është dora e dikujt”- thotë Bledar Çakalli, artist muralesh.

Hapësirat publike po shfrytëzohen nga persona ende të panjohur për të krijuar një klimë aspak të mirë në prag të sezonit turistik. Çakalli, artist i njohur për muralet në Durrës e Tiranë, shprehet i shqetësuar nga situata dhe kërkon reagim jo vetëm të autoriteteve vendore, por edhe të komunitetit.

“Këto nuk i bëjnë shqiptarët e vërtetë. Ka reagime dhe në rrjetet sociale. Është diçka që bie në sy. Jemi ankuar, po dhe ne duhet të mbajmë disa përgjegjësi. Nuk është zgjidhja vetëm të ankohemi, po dhe të veprojmë”- thotë Çakalli.

I pyetur se ku janë ankuar për rastet, ai përgjigjet “në bashki dhe polici.”

Ndonëse reagimi qytetar ndaj gjuhës së urrejtjes është i pakët, ai nuk mungon. Disa te rinj janë përpjekur të fshijnë mbishkrimet, ndërsa Bledari përmes një mesazhi fton këdo që të kontribuojë duke kthyer në art dhe mesazhe pozitive sipërfaqet ku mbizotëron gjuha e urrejtjes dhe përçarjes, që është vepër penale dhe dënohet me burgim nga kodi ynë penal.

“Gjuha e urrejtjes nuk është zgjidhje dhe ne do të mundohemi që ta kthejmë në art dhe të japim mesazhet e duhura. Tani është sezoni turistik, kemi marrë nismën dhe me një fond minimal 200 euro, që të nisim, dhe kush të dojë mund të na bashkohet”- thotë artisti.

Vlen të theksohet se, disa prej shkrimeve kanë përmbajtje fyerje për Kosovën, dhe disa të tjera bëjnë diskriminim krahinor. Madje ka edhe parrulla  që shkruajnë: “Kosova dhe Serbia janë një”.