“The Telegraph”: “Shqipëria, një ëndërr piktoreske”

Shqipëria, një yll në ngjitje i Ballkanit. Kështu e cilëson prestigjiozja britanike vendin tonë në artikullin e saj kushtuar rajonit të Ballkanit si ndër destinacionet më të mira për t’i vizituar këtë verë.

Rreth 4 milionë turistë britanikë e kanë vizituar rajonin vetëm vitin e fundit thuhet ndër të tjera mes rreshtash. E cilësuar dikur si një djerrinë neo-staliniste e betonit postkomunist, Shqipëria ka lulëzuar në dekadën e fundit për sa i përket imazhit të saj për tu kthyer në një destinacion udhëtimi, shkruan The Telegraph ndërsa e rendit atë si një ndër 10 atraksionet më tërheqëse të Ballkanit që ofron shumë për turistët. Bregdetin, kulturën dhe historinë.

“Atje ku shkëlqen, Shqipëria shkëlqen shumë. Vlora shënon pikën ku bashkohen Adriatiku dhe Joni, ngjitur me Gadishullin e Karaburunit Shkoni në brendësi të vendit dhe shpalosni një ëndërr piktoreske, vende të lashta historike si Butrinti, Bylisi dhe Apolonia; qytetet e mrekullueshme osmane si Gjirokastra dhe Berati dhe Parku Kombëtar i Llogarasë, i cili strehon një tjetër lloj lartësie shqiptare nën maskën e maleve të larta”.

Sipas të dhënave zyrtare të Ministrisë së Turizmit në vetëm 6 muajt e parë të vitit 3.4 milionë vizitorë të huaj kanë frekuentuar Shqipërinë, 33% më shumë se një vit më parë.