Mungoi në inaugurim, Inva Mula rikthehet në TKOBAP si regjisore

Sopranoja e mirënjohur shqiptare Inva Mula rikthehet në Teatrin Shqiptar të Operës dhe Baletit. Është shfaqja “Karnavalet e Korçës” një operetë që mban autorësinë e të atit, artistit të ndjerë Avni Mula ajo që kthen soprano në skenën në të cilën hodhi hapat e parë.

Ky rikthim i sopranos vjen pas një kohe mungesë në aktivitetin e TKOBAP. Ajo nuk ishte e pranishme as në mbrëmjen gala që u mbajt në kuadër të rikonstruksionit të ndërtesës dhe 65-vjetorit të krijimit të saj.

Asokohe mbeti e paqartë arsyeja se pse sopranoja me një karrierë ndërkombëtare nuk ishte e pranishme. Ndonëse ish- drejtoresha Zana Çela bëri me dije se sopranos i ishin dërguar ftesat, në një intervistë kjo e fundit u shpreh se mospjesëmarrjen e saj si artiste në skenë e falte, por nuk mund të falte mospërmendjen e prindërve të saj Nina dhe Avni Mula.

E megjithatë muaji shkurt do të jetë ai që do të na sjellë në skenën e TKOBAP “Karnavalet e Korçës” operetën e Avni Mulës nën regjinë e të bijës.