Zhdukja e Thodhorit e Sulovarit/ Policia arreston një person

Policia e Sarandës ka ekzekutuar dje një vendim të Gjykatës së Sarandës për caktimin e masës së sigurisë “arrest në burg” për një 28-vjeçar nga Saranda që dyshohet se ka dijeni mbi emrat që fshihen pas zhdukjes së 46-vjeçarëve Leonard Thodhori dhe Fatmir Sulovari alias Fatmir Krasniqi.

Rreth orës 04.00 të mëngjesit të së enjtes forcat e policisë kanë ndaluar shtetasin S. B., 28 vjeç, banues në Sarandë. Ndaj tij Gjykata e Sarandës ka caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg” për veprën penale “veprime që pengojnë zbulimin e së vërtetës”.

Sarandë/Vijojnë veprimet e thelluara hetimore dhe kërkimet për gjetjen e 2 shtetasve të kallëzuar të humbur.

Vihet në pranga një 28-vjeçar, si person i dyshuar se ka dijeni në lidhje me ngjarjen.

Në vijim të veprimeve të thelluara hetimore dhe kërkimore, të kryera nga grupi i posaçëm i DVP Vlorë dhe i Komisariatit të Policisë Sarandë, në drejtimin e Prokurorisë pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Sarandë, në lidhje me kallëzimin e familjarëve të shtetasve L. Th. dhe F. S., për humbjen e kontakteve me këta shtetas, që prej datës 06.04.2023, është arrestuar shtetasi:

S. B., 28 vjeç, banues në Sarandë.

Ndaj këtij shtetasi, Gjykata e Rrethit Gjyqësor Sarandë ka caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg”, për veprat penale “Veprime që pengojnë zbulimin e së vërtetës” dhe “Deklarata e rreme përpara oficerit të policisë gjyqësore”.