Zhdukja e Jan Prengës/ Çfarë bëri policia dhe prokuroria këto 3 vite

3 vite pas zhdukjes në rrethana shokuese të Jan Prengës, jemi ende me mungesë të trupit. Prokuroria dhe policia, të vetmen provë që kanë në dorë, është videoja, por kjo e fundit, duket të jetë e pamjaftueshme për t’i vënë para përgjegjësisë ligjore, personat që morën pjesë në këtë akt të rëndë.

Ishte data 17 janar 2020, kur në sallën e DVP Tiranë do të mbërrinte një telefonatë, ku tregonte se një automjet i bardhë, tip Range Rover, ka marrë me dhunë një person, në një lagje të Kamzës. Në minutat e para, u duk se nuk kishim të bënim me një rrëmbim, por në orët pasuese, detaje të reja dolën në dritë.
Personi që u mor me dhunë, rezultoi të ishte Jan Prenga, vëllai i Astrit Prengës, një personazh ky i skeduar nga autoritetet e huaja për trafik lëndësh narkotike, por jo vetëm, ai kishte lënë konflikte të hapura me grupet kriminale që operojnë jashtë Shqipërisë, duke sjellë si pasojë edhe rrëmbimin e vëllait, i papërfshirë në këto histori.
Këto detaje dolën në dritë pas përgjimeve ambjentale që Policia dhe Prokuroria e Tiranës bënë në banesën e familjes Prenga.
Për ngjarjen që bëri bujë në vitin 2020, u ngrit një grup i posaçëm hetimor. U mblodhën qindra kamera sigurie, pamjet e të cilave ndihmuan hetuesit për të krijuar itinerarin që kishte ndjekur makina e bardhë në të cilën u mor Prenga.
Ky automjet ishte parë të hynte në një kompleks mjaft në zë, në zonën e Shijakut. Kompleksi Golden.
Menjëherë policia sekuestroi pamjet e kamerave të kompleksit. Dhe ajo që doli ishte shokuese. Jan Prenga ishte rrahur në ambjentet e rezortit, dhe më pas ishte nxjerrë nga punonjësit, ishte futur në një furgon të bardhë, dhe kishin udhëtuar në drejtim të rrugës së vjetër që lidh Durrësin me Tiranën.
Pas marrjes në pyetje të disa prej personave që duken në videot e sekuestruara, nuk u bë e mundur gjetja e vendodhjes së trupit të Prengës.
Për këtë arsye, bazuar në informacione, u bë kontrolli i imtësishëm i territorit, në zonën mes Durrësit e Tiranës, por më kot.
Si përgjegjës për ngjarjen, u arrestuan atë kohë, Leonard Hajri, Bajram hajri, Elton Hajri, Olsi Turja, Festim Bixhdili dhe u shpallën në kërkim, Altin Hajri, Artan Doçaj, Aleks alias Bardhok Doçaj, Dritan Rexhepi, Gentian Doçaj, Korado Doda, Gentian Bleta dhe Aldo Manishta.
Nga hetimet, rezultoi që rrëmbimi dhe vrasja të ishte porositur nga një burg në Ekuador, pasi vëllai i Jan Prengës, nuk kishte dërguar në destinacion një ngarkesë.
Duke marrë tagrin e një grupi të strukturuar kriminal, çështja i ka kaluar tashmë Prokurorisë së Posaçme Kundër Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit.

Sot, teksa kanë kaluar 3 vjet nga zhdukja e Jan Prengës, i vetmi vendim që është marrë, është lënia në qeli e gjashtë personave të arrestuar. Ndërsa në pranga nuk është mundur të vihet Altin Hajri, që dyshohet të jetë edhe personi kyç që ndihmoi në zhdukjen e tij.

Ndërkohë, personat që janë në qeli nuk pranojnë që të kenë lidhje me ngjarjen. Ndërsa jemi në kushtet që nuk kemi viktimë fizike, gjë që lehtëson barrën e provës.