Vrau bashkatdhetarin me plumba në zemër dhe mushkëri, ja sa vite burg u dënua Mikea Zaka

23-vjeçari Mikea Zaka është dënuar me 20 vjet burg nga Gjykata e Frosinones për vrasjen e bashkëkombësit të tij, Kasem Kasmi, dhe plagosjen e tre personave të tjerë në një ngjarje tragjike që ndodhi në mars të vitit 2024. Vrasja e Kasmit, i cili u qëllua me dy plumba në zemër dhe mushkri, ndodhi pas një sherri mes Zakes dhe viktimës në një bar në qytetin italian.

Sipas prokurorisë, Zaka ka qëlluar të paktën gjashtë herë me një pistoletë të kalibrit 7.65 që mbante në mënyrë të paligjshme, duke e lënë të vdekur Kasemin dhe duke plagosur rëndë tre të tjerë, përfshirë vëllain e viktimës, Ervin Kasmi dhe dy vëllezërit, Klevin dhe Alvider Hidraliu. Dënimi për Zakan u vendos pas një procesi të shkurtuar gjyqësor, ku u mor parasysh një ulje dënimi për shkak të procedurës së shpejtuar. Fillimisht, prokuroria kishte kërkuar një dënim prej 30 vjetësh, përfshirë 20 vjet për vrasjen e qëllimshme dhe 3 vjet për secilën nga tre tentativat për vrasje, si dhe 1 vit për mbajtjen e armës pa leje.

Ngjarja ndodhi në Shake Bar, një lokal i njohur në Frosinone, kur Mikea Zaka, i shoqëruar nga disa miq, u përball me një grup të rinjsh të udhëhequr nga Kasem Kasmi. Siç raportohet, Kasmi dhe shokët e tij kishin ardhur në tavolinën e Zakes, ku filloi një debat i fortë mes palëve. Në një moment tensioni, Zaka nxorri armën dhe qëlloi drejt grupit, duke lënë të vdekur Kasemin dhe duke plagosur rëndë tre të tjerë. Pas ngjarjes, Zaka dhe shokët e tij u larguan nga vendi, por u ndaluan shpejt nga policia. Ai më vonë u dorëzua dhe tha se kishte vepruar për vetëmbrojtje, pasi kishte pasur konflikte të mëparshme me Kasemin, që kishte filluar të dilte me ish-in e Zakes.

Për veprën e tij, Zaka u dënua me 20 vjet burg, ndërkohë që ka mundësinë të apelojë. Dënimi i tij mund të ulet edhe më tej, nëse ai nuk apelon vendimin dhe i kalon të gjitha procedurat ligjore. Ngjarja tronditi komunitetin shqiptar në Frosinone dhe la pas një pasojë të rëndë, ndërsa familjarët e viktimës dhe të plagosurve kërkojnë drejtësi për aktin e dhunshëm që mori jetën e një të riu dhe ndryshoi fatet e shumë të tjerëve.