Vrasja në Laç/ Kush është Dod Memli? Në 2015-ën djemtë shkaktuan “Masakrën e Kurbinit”
Viktima e mbrëmjes së sotme në fshatin Vilëz në Laç nuk është emër i panjohur për autoritetet.
67-vjeçari Dodë Mamli është babai i Enrik (Elton) Mamli dhe Tom Mamli, të përfshirë në një konflikt të armatosur me kushërinjtë Gazmir dhe Taulant Tafa, në qendër të Mamurrasit, pranë stacionit të trenit.
Nga sherri i shtatorit 2015, mbeti i vdekur Naim Tafa dhe u plagosën rastësisht Idriz Tafa dhe Altin Çoku, të cilët gjendeshin, bashkë me shumë persona të tjerë, në zonën e stacionit të trenit.
Nga hetimet e prokurorisë rezulton se konflikti mes dy familjeve Tafa dhe Mamli ka nisur kohë më parë, ku janë përplasur fizikisht për motive të dobëta kushëriri i të pandehurve Tafa, Edmond Tafa, me vëllezërit Mamli. Dyshohet se Naim Tafa, i cili mbeti viktimë asokohe, kishte një borxh prej 250 mijë eurosh autorit, Elton Mamli.
Më datë 23.09.2015, rreth orës 11:30, në qytetin e Mamurrasit, rrethit të Kurbinit, ka ndodhur një konflikt mes shtetasve Enrik Mamli dhe Dorian Mamli, të cilët janë kushërinj mes tyre. Shkaku i konfliktit mes dy kushërinjve ishte shoqërimi i Dorianit me shtetasin Naim Tafa.
Enriku i kishte kërkuar kushëririt të tij që të mos shoqërohej me shtetasin Naim Tafa dhe të afërmit e tij, pasi me këta persona kishte pasur konflikt të mëparshëm jashtë shtetit. Por shtetasi Dorian Mamli nuk i është bindur kushëririt të tij, duke i thënë që i ka shokë dhe do të shoqërohet me ta.
Kjo tragjedi e dhunshme ngre dyshime se vrasja e Dodë Mamli mund të jetë një hakmarrje e lidhur me atë ngjarje.
Forcat e rendit kanë rrethuar zonën dhe kanë nisur krehjen e territorit për të gjetur autorët e krimit. Ndërkohë, hetimet janë intensifikuar për të zbardhur të gjitha rrethanat e kësaj ngjarjeje dhe për të konfirmuar nëse motivi i vërtetë është hasmëria e vjetër apo një konflikt tjetër i mundshëm.
Autoritetet po marrin dëshmi nga familjarë dhe banorë të zonës, ndërsa pista e hakmarrjes mbetet deri tani kryesorja në hetime.